Që nga dita e hënë e kësaj jave, 19 grupe të përbëra nga 2 inxhinierë ndërtimi dhe arkitektë janë në terren në pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit për të bërë preventivët për dëmet e shkaktuara në ambientet e përbashkëta dhe fasadat e pallateve.
DurrësLajm mëson se janë gjithsej 660 pallate me dëmtime të shkallës DS1, DS2 dhe DS3 që do të kalohen në sitën e këtyre grupeve, për të nxjerrë më pas një preventiv për riparimin e dëmeve të shkaktuara.
Mesatarisht çdo grup ka për të inspektuar 35-40 pallate në qytet. Procesi pritet të përfundojë brenda kësaj jave për të vazhduar më pas punën me pallatet e dëmtuara në njësitë administrative si Rrashbull, Sukth etj. Secili grup inspekton në mënyrë të hollësishme çdo pallat të dëmtuar dhe mban shënimet përkatëse për dëmtimet në fasadë, në ambientet e përbashkëta dhe deri në cilin kat janë të dukshme dëmet që la pas tërmeti i frikshëm.
Ky proces rindërtimi është i ndarë nga granti i riparimit që do të përfitojnë familjet durrsake banesat e të cilave kanë dëmtime të shkallës DS1, DS2 dhe DS3. Paralelisht me punën e grupeve në terren për hartimin e preventivëve për riparimin e ambienteve të përbashkëta dhe fasadave në pallatet e dëmtuara vijon puna për përpunimin e dosjeve të aplikacionit “Shtëpia ime”.
Në total janë 12.500 aplikime të familjeve durrsake që presin të përfitojnë nga Procesi i Rindërtimit. Qyteti bregdetar ishte ndër zonat e goditura më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Lëkundja sizmike me magnitudë 6.4 Rihter shkaktoi 23 viktima dhe mijëra apartamente, banesa private dhe biznese të dëmtuara në qytetin bregdetar dhe njësitë administrative. Të gjitha familjet e dëmtuara janë në pritje të Procesit të Rindërtimit, pasi janë me qindra që jetojnë në çadra dhe mijëra në apartamente dhe shtëpi me qira, sepse kanë mbetur të pastrehë.
Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi përllogaritjen e vlerës mesatare të masës së grantit për riparimin e banesave. Në relacionin e paraqitur në KB Durrës përcaktohej me detaje preventivi i vlerës mesatare të grantit që do të përfitojë secila familje, në varësi kjo të sipërfaqes së apartamentit, katit të banesës dhe nivelit të dëmit.
Në relacionin e paraqitur në Këshillin Bashkiak nga një grup inxhinierësh që kanë punuar në terren dhe kanë parë nga afër dëmet e pësuara në pallate të ndryshme të Durrësit vlera mesatare e preventivit është përllogaritur në varësi të sipërfaqes së apartamentit.
Kështu, për të tre nivelet e dëmit DS1, DS2 dhe DS3 ka respektivisht preventiv dëmesh për apartamente deri në 75m2, deri në 110 m2 dhe mbi 110 m2.
Apartamente me dëme DS1, sipërfaqja deri në 75m2 – 60,505 lekë
Apartamente me dëme DS1, sipërfaqja deri në 110m2 – 80,557 lekë
Apartamente me dëme DS1, sipërfaqja mbi 110m2 – 96,305 lekë
Apartamente me dëme DS2, sipërfaqja deri në 75m2 – 150.793 lekë
Apartamente me dëme DS2, sipërfaqja deri në 110m2 – 205.459 lekë
Apartamente me dëme DS2, sipërfaqja mbi 110m2 – 244.094 lekë
Apartamente me dëme DS3, sipërfaqja deri në 75m2 – 300.857 lekë
Apartamente me dëme DS3, sipërfaqja deri në 110m2 – 450.450 lekë
Apartamente me dëme DS3, sipërfaqja mbi 110m2 – 497.272 lekë
Ndërkohë problem më vete mbeten banesat private dhe pallatet me dëme të nivelit DS4 dhe DS5, për të cilat bashkia e Durrësit i ka kërkuar akt-ekspertizë të thelluar Institutit të Ndërtimit. Mësohet se janë gjithsej 1050 ndërtesa (790 banesa individuale dhe 260 pallate) për të cilat është kërkuar akt-ekspertizë, ndërkohë që Instituti ka kthyer përgjigje për rreth 10% të numrit total.
M.B.





