Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilrijan Celibashi në një komunikim për mediat ka bërë një pasqyrim të procesit zgjedhor të deritanishëm.
Gjithashtu Celibashi është ndalur tek denoncimet që KQZ ka marrë, për të cilët tha se më të shumtat lidhen me parregullsi nga ana e komisionerëve, si edhe denoncime për votime familjare apo edhe intimidime.
Po ashtu tha se janë 4497 qendra votimi që në kohë reale përcjellin informacion në KQZ, ndërsa shtoi se ka pasur 927 tentativa për votim të dyfishtë.
“Kemi disa informacione lidhur me denoncimet. Deri tani në KQZ, qoftë nëpërmjet platformës, janë 29 denoncime të paktën formalisht ose zyrtarisht të prezantuar në mënyrë formale.
Janë bërë denoncime nga subjekte zgjedhore, 3 nga PS, 1 nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Në dy raste janë bërë denoncime për kandidatin në Elbasan dhe kandidatin në Tiranë, për heshtjen zgjedhore. Janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm, përgjithësisht bashki si Tirana, Elbasani, Kamza , Konispoli, Lezha, Peshkopia dhe Tropoja. Denoncimet lidhen kryesisht me parregullsi në ushtrimin e detyrës nga Komisionerë, ka ankesa. Në Dropull denoncimi lidhet me prishjen e pajisjes. Ka denoncime edhe me postime me përmbajtje elektorale në rrjete sociale. Dhe së fundmi denoncimet lidhen edhe me votime familjare, në disa bashki. 998 mijë 633 votues apo persona që janë identifikuar nëpërmjet pajisjes elektronike”, ka thënë ai.