Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka urdhëruar Departamentin për Shërbimet mbështetëse në DPPSH që brenda ditës së sotme të kalojë në thesar çdo pagesë e prapambetur për punonjësit e Policisë.

“Brenda ditës së sotme, çdo njësi buxhetore në PSh, të kalojë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë. Çdo vonesë ju ngarkon me përgjegjësi. Orët suplementare, orët e natës, dietat e prapambetura, lekët e ushqimit, e çdo pagesë e prapambetur” , mësohet të jetë shprehur urdhri i Kreut të Policisë së Shtetit.

Nga të gjitha njësitë buxhetore prej mëngjesit të sotëm po kryhen veprimet me thesarin për të kaluar pagesat. Bëhet fjalë për 1.5 miliardë lekë në total, ndërsa pjesa e shpërblimit do të komunikohet nga kryeministri Edi Rama këtë të hënë në konferencë.