25 nëntor 2015 – Prodhimet bujqësore me pesticide e hormone, rrezikojnë në radhë të parë shëndetin e konsumatorëve dhe më pas edhe mjedisin. Parandalimi i keqpërdorimit të tyre, nga importuesit, shpërndarësit, farmacistët, fermerët dhe autoritet kontrolluese, ka mbledhur në një takim të përbashkët grupet e interesit nga i gjithë vendi në Durrës. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, dha direktivat për të gjithë pjesëmarrësit, për të përdorur sa më pak pesticide dhe në mënyrë të kontrolluar.
“Kemi 2 objektiva kryesore, fillimisht përdorimin e kontrolluar të pesticideve në të gjithë spektrin e tyre që përdoren për parandalimin dhe luftimin e dëmtuesve. E dyta është instruktimi i të gjithë përdoruesve të tyre. Duhet të trajnohen përdoruesit e tyre që nga farmacistët dhe fermerët për të respektuar periudhat e intolerancës së pesticidit, të cilit i duhet kohë të shpërbëhet, duhet të respektohen edhe kriteret e përdorimit. Kjo që të kemi sa më pak pasoja në shëndetin e njerëzve dhe sa më pak pasoja dhe impakt mjedisor. Ne jemi të vendosur për mbrojtjen e bujqësisë duke pasur si synim edhe reduktimin e përdorimit të insekticideve, përdorimin e programeve alternative, atyre Bio dhe organike, si avantazhuese të bujqësisë shqiptare.”
Por çfarë ndodh realisht në tregjet shqiptare?
Duke nisur që nga mishi, që është i stimuluar me hormone, perimet e zarzavatet, domatja, specat e deri te sallata e spinaqi, madje edhe karotat, janë të rritura apo fara e tyre është e modifikuar gjenetikisht. Po ashtu edhe frutat kanë përqindje të lartë pesticidesh, ndërsa të gjitha këto produkte përfundojnë në tryezat tona të përditshme. Aktualisht domatja që ka dalë në tregun e përditshëm, është e kuqe jashtë dhe brenda, por nuk ka farat e saj në tul. A është ky një shembull ku prej importuesve të farave e pesticideve, të farmacistëve dhe të fermerëve po abuzojnë me shëndetin e konsumatorit shqiptar?
Çështje e ditës në çdo ambient është ushqimi që po konsumohet në Shqipëri, dhe aktualisht në vendin tonë, që prej importuesve e deri në fund të zinxhirit të gjithë abuzojnë me shëndetin e konsumatorit, kundrejt përfitimeve dhe interesave të tyre. Sot në tregje apo në markata nuk ka më asnjë produkt që të vijë Bio, asnjë produkt nuk vjen për konsumatorin nga natyra, sepse ose fara është e modifikuar, ose përdorimi i hormoneve nga fermeri, bën pjekje para kohe e të detyruar.
/K.H. portali DurresLajm/