Qytetarët e Durrësit duket se janë të kënaqur nga çmimet e produkteve të tregut të fruta-perimeve.

Sipas tyre, prodhimet e sezonit që tregtohen gjatë kësaj periudhe janë të përballueshme për xhepin e të gjitha shtresave të shoqërisë.

“Çmimet janë të kënaqshme. Ka një mundësi që t’i marrë edhe pensionisti, edhe ai që është me ekonomi të dobët”, shprehet një qytetar.

Ka dhe nga ata qytetarë që i krahasojnë çmimet e produkteve shqiptare me ato italiane, për të cilat thonë se janë më të shtrenjta se te ne.

“Jashtëzakonisht më mirë se në Itali”, thotë një qytetar tjetër.

Tregu i Durrësit furnizohet nga importi dhe fermerët vendas dhe duket se këta të fundit kanë prodhuar me shumicë pasi produktet e tyre kanë mbushur bankinat e tregut.

Rrushi, dardhat, shalqiri, por dhe frutat e tjera të stinës gjatë këtyre ditëve i gjen në treg me çmime më të përballueshme. Po kështu dhe perimet që nga domatet, specat, etj, kanë një prodhim dhe çmim të kënaqshëm për konsumatorët.