Dana Eden, 52 vjeçe, producente dhe krijuese e serialit të njohur dramatik “Tehran”, ka ndërruar jetë papritur gjatë xhirimeve të sezonit të katërt në Greqi.
“Në ditët e fundit, sezoni i katërt i serialit është xhiruar në Greqi, një prodhim kompleks dhe i rëndësishëm, të cilin Dana udhëtoi për ta mbikëqyrur nga afër,” thuhet në deklaratën e transmetuesit publik Kan që dha lajmin e hidhur dhe u shpreh ngushëllimet familjarëve për vdekjen e saj.
Sipas mediave hebraike, Eden u gjet pa jetë në një hotel në Athinë ditën e djeshme nga vëllai i saj, i cili filloi ta kërkonte pasi ajo nuk iu përgjigj mesazheve.
Policia lokale ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe ka filluar mbledhjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë si dhe dëshmitë e stafit të hotelit.
Sipas raporteve fillestare, nuk besohet se ka pasur ndonjë veprim kriminal.
“Tehran”, seriali izraelit për një agjent të Mossad-it të infiltruar në kryeqytetin iranian, transmetohet gjithashtu në Apple TV, i cili publikoi sezonin e tretë muajin e kaluar.
Eden njihej si një nga producentet më të suksesshme dhe më produktive të televizionit izraelit, duke punuar në seriale si “Saving the Wildlife”, “She Has It”, “Magpie” dhe “Shakshouka”.





