*Sot dita për mbrojtjen e konsumatorit!

Në treg me çmime super të larta, por edhe “badjava fare”, lirshëm tregtohen prej domateve që rriten brenda natës me hormone, deri te produktet e modifikuara gjenetikisht. Nga mielli i Serbisë, deri te Gruri i Ukrainës me përmbajtje teknologjike të varfër blejnë produktin më të konsumuar shqipatrët: Bukën!  Konsumatori ka vetëm dy rrugë: ose t’i blejë e të mbyllë sytë kur t’i konsumojë, ose t’i braktisë, por me çfarë të ushqehet?

Askush nuk është i sigurt për produktet ushqimore të cilat i konsumon personalisht apo në familje. Pavarësisht se çdo produkt është shumë më i shtrenjtë për konsumatorin shqiptar në raport me vendet  fqinje, duke nisur prej produkteve ushqimore, veshja dhe këpucët,  produktet e shërbimit, faturat e  ujit, energjisë e telefonisë, garancia se këto produkte janë të sigurta nuk ekziston.  

Sot është dita për mbrojtjen e Konsumatorëve, dhe ne jemi konsumatorë të gjithë pa përjashtim, jo vetëm të produkteve ushqimore, por edhe konumatorë të karburantit, gazit, ujit, energjisë, telefonisë të transportit publik, dhe gjithçkaje tjetër që plotëson nevojat personale, të familjes, jo për të fituar e jo për të bërë tregti.  

Me sloganin “Konsumatorë mbroni të drejtat tuaja! Ankohuni! “Qendra e Konsumatorit  shqiptar zhvilloi një fushatë sensibilizuese te qytetarët durrsakë në lidhje me të drejtat që ka çdo konsumator.

Ersida Teliti, nga qendra e Konsumatorit Shqiptar dha alarmin se vijon të konsumojë produktet e tregut të fruta-perimeve në Durrës, duke ditur se problematika e këtyre produkteve është e madhe.

“Në vijimësi kemi kërkuar pranë drejtorisë së përgjithshme të AKU-së, por këto struktura mjaftohen vetëm me kontrolle rutinë, ndërkohë që mungojnë laboratorët për kontrollin e këtyre produkteve”, tha Teliti.

Zonja Teliti, pa ngurruar thotë se të gjithë konsumatorët kanë të drejta, por ku ta gjejnë të drejtën e tyre?

Nëpërmjet fletëpalosjeve që u shpërndanë te qytetarët u bë me dije edhe këtë radhë problemi që ata përballen çdo ditë me produktet e pasigurta.

Në fund të gjithë konsumatorët që konsumojnë këto produkte, kanë të njëjtin shqetësim, kush më herët ose më vonë. Ata rrezikojnë të përballen me sëmundje kanceroze, si rezultat i produkteve të pakontrolluara që kanë përmbytur tregun.

Rritja e numrit të të prekurve me këtë sëmundje nga viti në vit është edhe alarmi që japin mjekët në të gjthë Shqipërinë. Produktet ushqimore të modifikuara gjenetikisht kanë rritur numrin e personave të prekur me kancer!

K.H.