· “Nga të gjitha qytetet e botës, të galaksive po deshët, zgjedh vetëm një, Durrësin. Durrësi dhe Roma. Të tjerët në shekuj kanë qenë thjesht stacione autobusi urban drejt Plepave”

· “Çfarë nuk do të jepja të bëhesha qytetar i Durrësit, aty ku vinin pelegrinët norvegjezë nga Deti i Veriut, majë balenash dhe delfinësh, për të ikur drejt kockave të Krishtit, në tokën e premtuar”

12 gusht 2015 –  Për akademikun Artan Fuga muzeu arkeologjik është “krejt kot dhe pa shije”. Por, me përjashtim të këtij objekti, që nuk dihet nëse e ka vizituar ndonjëherë, por i vlerësuar nga personalitete të shquara botërore, gjithsesi atij i pëlqen aspekti “gastronomik” i Durrësit.

Prof. Artan Fuga ka postuar para disa ditësh një status në llogarinë e tij në Facebook, ku ndjehet dashuria për qytetin bregdetar (është nga “fshati i gruas”!). Në krye të faqes kemi vënë një foto të realizuar nga Fuga. Ja postimi:

“Çfarë bëj unë në Durrës? I fus një drekë te restorant “Columbia” te shëtitorja anës detit, poshtë Vilës së Mbretit. Ha një kasatë te “Bllaca”, por mundësisht përpara orës 14.00. Kafen e le ta pi te Torra veneciane tek ish-“Vollga”. Blej domatet ke pazari fshatar (Tirana nuk ka pazar fshatar, por ka panaire të turpit). Ndonjë pako makarona ose çokollatë të zezë te “Conadi” ose “Carrefour”-i. Evitoj atë Muzeun arkeologjik, krejt kot dhe pa shije. Dhe pastaj marr rrugën e re anash Portit, një mrekulli, dhe dal në autorrugë për t’u kthyer në Tiranë”.

II

Para një viti në korrik 2014, Profesori shfaq dellin romantik me një stil të këndshëm. I ngre himn Durrësit. Ja postimi në FB:

“Nga të gjitha qytetet e botës, të galaksive po deshët, zgjedh vetëm një, Durrësin…

Durrësi dhe Roma. Të tjerët në shekuj kanë qenë thjesht stacione autobusi urban drejt Plepave…

Nuk di se çfarë jap thjesht për një xhiro trotuareve, ku durrsakët e lashtë, helenë, romakë, venecianë, pinë kafen dhe birrat e tyre poshtë çadrave me reklama “Pepsi”.

Pastaj ha edhe një parfe a kasatë “Bllaca”, zhytu njëherë nga amfiteatri, dhe pi një kafe te Torra veneciane, pranë dritares me hekura, disashekullore, duke lexuar “Panorama Sport”, a “Intervista”.

Aman kamerier, sa bakshish do që ta ulësh atë radion e ta mbyllësh atë televizor me klipe idiote këngëtaresh po aq idiote dhe histerike.

Lëre erën e detit të këndojë, na të gjithë lekët që kam në xhepa…

Nuk ka nevojë për referendume…

As zhurma e podiume…

Deti barazon mes dallgësh që përplasen mbi rërë a beton.

Qytet që matet me kohëra mijëravjeçare tërmetesh.

Çdo sekondë në Durrës është mijëra vjet jetë e fituar.

Pikë-pikë rrjedh uji në galerinë e luanëve. Unë shihem sy më sy me macen e shtëpisë përballë shkallareve të amfiteatrit, që nuk kupton se jeton mbi mijëra vjet që zbusin tigrat…

Çarçafë të bardhë, varur, në amfiteatër, thahen nga era e detit, lum ata që flenë mbi ato aroma. Mos i hekurosni…

Trageti vjen drejt çarçafëve të varur.

Ikni, ikni, andej nga rrëpirat mbi det, andej është bukur… Andej nga fiqtë e detit. Na lini në Durrës me kandilat e bardhë…

Çfarë nuk do të jepja të bëhesha qytetar i Durrësit, aty ku vinin pelegrinët norvegjezë nga Deti i Veriut, majë balenash dhe delfinësh, për të ikur drejt kockave të Krishtit, në tokën e premtuar”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/