Restauruesi i njohur shqiptar, me reputacion ndërkombëtar, prof. Frederik Stamati ka postuar një status të bujshëm në faqen e tij në Facebook, më 31 maj 2019. Profesori kumton për një vazo prej qelqi, më e bukura e zbuluar në Shqipëri. Është gjetur në Durrës, e thyer në 151 copë.

Fotoja e dytë e tregon se si është gjetur, ndërsa e para pas restaurimit. Analizat e ndryshme treguan se është e shekullit XVI, e prodhuar në Murano. Restaurimi i saj mori 15 muaj (dhe shpirti im e di, por do ta botoj në ndonjë shkrim në gazetë) dhe u bë në ish-laboratorin e konservimit dhe arkeometrisë të ish-Institutit të Kulturës Popullore. Ka qenë ena prej qelqi, më e vështira që është restauruar në vendin tonë. Por prof. Stamati nuk bën datimin e restaurimit, duke shpresuar për këtë gjë në ndonjë artikull në gazetë. 

Studiuesi në Akademinë e Studimeve Albanologjike shkruan se para restaurimit, për të kuptuar situatën dhe se çfarë duhej bërë, është analizuar me SXRF, (Spektroskopia e Fluoreshencës së Rrezeve X) në Institutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar në Tiranë, me SEM (Scanning Electron Microscopy) në Universitetin e Selanikut, me PIGE (Particle Induced Gamma-rey Emission), në Universitetin e Ljubljanës dhe MO (Mikroskopi Optike) në laboratorin shqiptar.

Th.M.