· “A i shikon këto drejtoria rajonale që mbulon monumentet e kulturës (në Durrës), apo Instituti i Monumenteve? Nuk është as në ndonjë qoshe, po mu në mes të kryeqytetit!”

6 nëntor 2015 –  “Ka kohë që në harkun e hajatit të xhamisë së Ethem Beut në Tiranë suvaja me pikturim është në rrezik për të rënë”, restauruesi i famshëm durrsak me emër ndërkombëtar prof. Frederik Stamati kritikon drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës (DRKK) Durrës që mbulon edhe kryeqytetin, e cila nuk e shikon këtë fakt. Sipas prof. Stamatit “edhe ca dhe, në vend të pikturës, do të kemi një suva pa vlerë”. Për restauruesin kjo është e pafalshme se xhamia e Ethem Beut: “nuk është as në ndonjë qoshe, po mu në mes të Tiranës!”. Këtë konstatim restauruesi e ilustron me foton përkatëse (shih poshtë).

Specialistët e DRKK Durrës thonë se në fund të tetorit 2015 inspektuan një nga monumentet e kulturës të periudhës osmane, Teqenë e Sheh Dyrrit. Monumenti ndodhet në Rrugën e Barrikadave. Teqeja e Sheh Dyrit ka ruajtur në thelbin e saj kompozicional tiparet themelore të tipit të banesës tiranase, apo banesës me qendër kompozimi shtëpinë e zjarrit, me zhvillim në të dy katet në lartësi. Në hapësirën e truallit përpara shtrihej tyrbja, apo varri monumental i shehut themelues të teqesë dhe i pasuesve të tij. Gjatë inspektimit u vlerësua si mjaft e mirë gjendja e këtij monumenti dhe nuk u evidentua ndonjë nevojë për ndërhyrje. Prandaj është disi e çuditshme që të mos jenë parë dhe rënia e suvasë në xhaminë e Ethem Beut, afër teqesë së She Dyrit.

/th. m. portali DurresLajm/