Një thesar me monedha argjendi i zbuluar në Durrës [në vitin 2006?]. Përbëhet nga 137 copë, ndër të cilat dy janë të prera nga Aleksandri i Madh për kujtim të babait të tij, Filipi II (fotoja e tretë). Janë më shumë se 2300 vjet të vjetra, kështu, më 11 qershor 2019, shkruan në faqen e vet në FB restauruesi i madh shqiptar me përmasa evropiane, prof. Frederik Stamati.

Sipas restauruesit, kanë kaluar disa vjet nga zbulimi dhe restaurimi dhe thesari vazhdon të ruhet shumë mirë, gjë që dëshmon për një punë të një niveli të lartë, të kryer në ish-Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë, i cili operonte në nivelet më të larta, të krahasueshme me ato që kanë laboratorët e tjerë të avancuar në botë.

Prof. Stamati tregon se, mbas zbulimit të thesarit, 137 monedhat u analizuan me disa metoda si radiografi të rrezeve X, SXRF (spektroskopi e fluoreshencës së rrezeve X), mikroskopi optike, etj. Përbërja kimike e monedhave është argjend me pak bakër.
Rezultoi se thesari ishte futur në një qese dhe pastaj në një arkë të vogël prej druri, e cila u fut në një gropë pranë një banese dhe u mbulua me një rrasë prej guri. U zbulua si një bllok i formuar nga produktet e korrozionit (fotoja e dytë). 

Zbërthimi i bllokut u bë kimikisht dhe zgjati dy javë. Edhe pastrimi i tyre u bë me rrugë kimike. Stabilizimi nga korrozioni u bë gjithashtu me koncepte kimie, duke u analizuar kimikisht për largimin e joneve që korrodojnë metalet dhe deri në përcjellshmëri elektrike konstante në kufijtë 7-8 mikrosiemens. Është zier e ftohur në ujë të distiluar 280 herë. E gjithë puna zgjati rreth 2 muaj.

Monedhat kanë nga një anë kokën e Herakliut, i cili mban mbi krye lëkurën e luanit të Nemeut. Herakliu është simbol i Dyrrahut si pjesëtar i grupit që themeloi qytetin dhe në anën tjetër Pegasin.

Ka edhe shumë kuriozitete të tjera, si monogramet e pritanit, nëpunësi që ishte përgjegjës për prerjen e monedhave, një germë të gërvishur, ndoshta e poseduesit të thesarit, etj.

Th.M.