Nga Shpëtim Kodra

Me 18 dhjetor 2024, në fakultetin e gjuhëve të huaja (në sallën “Evropa”) në Tiranë, nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (OSPA), u organizua Simpoziumi shkencor “Ziaudin Kodra –studiuesi i vyer i botës arbëreshe”, me rastin e 115 –vjetorit të lindjes së tij. Fjala përshëndetëse u mbajt nga prof. Diana Kastrati, drejtoreshë ekzekutive e OSPA -s. Ajo theksoi kontributin e çmuar të prof. Ziaudin Kodrës për letërsinë dhe kulturën arbëreshe. Më tej u vijua me prezantimin e materialt filmik mbi ekspeditën studimore të prof. Kodrës tek arbëreshët e Italisë: ”Takim me arbëreshët në vitin 1965”. Nën moderimin e dr.Jolanda Lilës, u çel sesioni i kumtesave, si më poshtë:

1.Prof. Emerites Emil Lafe me kumtesën: ”Vlera shkencore dhe mësimore në librin “Letërsia e vjetër shqipe dhe letërsia arbëreshe”. 2. Prof. Ymer Çiraku me temën: ”Kontributi i Ziaudin Kodrsë për studimin e letërsisë arbëreshe”. 3.Prof. Klara Kodra: ”Ziaudin Kodra –studiues i Giuseppe Schiroit”. 4.Dr.Silvana Nini: ”Takim me arbëreshët. Ekspedita studimore e vitit 1965, në këndvështrimin e të dhënave arkivore. 5.Dr.Vilma Proko: ”Ziaudin Kodra i vështruar si studiues i shqipes dhe i arbërishtes. 6.Dr.Jolanda Lila: ”Jeronim De Rada në studimet e prof.Ziaudin Kodrës”. Nipi i Ziaudin Kodrës, z.Ilir Kodra përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit. U shprehu mirënjohjen e thellë studiuesve.

Prof.Ziaudin Kodra (1909 -1965) u laurua për letërsi e filozofi në Firence. Pas Luftës ishte ndër të parët e më aktivi në studimin dhe evidentimin e vlerave të letërsisë arbëreshe. Pasqyroi vlerat ideore, estetike mesazhore, si dhe karakterin integrant të letërsisë arbëreshe në trungun amtar. Krahas tipareve të përbashkëta, evidentoi qartë e bukur origjinalitetin e secilës prej figurave të shquara të letërsisë arbëreshe. Tekstet dhe studimet e tij kanë ruajtur, jo vetëm vlerat, por dhe aktualitetin. Me respekt e mirënjohje të thellë, vlerësojmë trashëgiminë e paharruar dhe kontributin e tij të pashlyeshëm për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore e intelelektuale kombëtare të paraardhësve tanë të shquar, me të cilët krenohemi dhe ndiejmë detyrimin moral t’i përkujtojmë e t’i nderojmë si duhet.

Diapazoni i studimeve të prof. Ziaudin Kodrës është mjaft i gjerë e i shumanshëm. Në shkrimin e titulluar “Përkujtime”, përgatitur me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së patriotit të shquar Thimi Mitko, prof. Kodra ka vlerësuar mjaft “Bletën shqiptare”, ku “u mblodhën shumë gjëra të bukura të historisë së popullit tonë”. Ai çmon lart punën fisnike të një historiani të paanshëm, si dhe të mbledhësit të përkushtuar të folklorit tonë të pasur, në një moment të rëndësishëm politik (1936). Ka redaktuar më 1950 “Gjahun e malësorëve” (Hieja e Tomorit), të shkruar në versionet gegërisht e toskërisht, nga filologu, përkthyesi, studiuesi e veprimtari Kostandin Kristoforidhi.

Në evidentimin e “Poezisë popullore arbëreshe” (1957), ka ruajtur gjuhën origjinale, duke vënë pranë fjalët përgjegjëse të shqipes së sotme. Përveç autorëve të përmendur në titujt e kumtesave të mësipërme, Ziaudin Kodra ka hulumtuar edhe vlerat e autorëve të tjerë të shquar, si Gavril Dara i Ri, Anton Santori, Kozmo Serembe etj. Metodika e tij e gjuhës si dhe metodika e tij e letërsisë ruajnë ende vlera aktuale.
Përmbledhja “Vjersha” (1962) e prof.Kodrës, i kushtohet krijimtarisë së Zef Serembes, të cilin e përcakton si “një poet të lindur”(në kuptimin e një talenti spontan, individual). Duke u ndalur te pasuria e figuracionit në poezinë e tij, për herë të parë e lidh me traditën e poezisë popullore, por thekson edhe karakterin origjinal, modern e aktual të poezisë së tij. Për Ziaudin Kodrën, edhe Vincçenc Stratigoi mbetet një nga figurat më interesante dhe tërheqëse të letërsisë arbëreshe të sh.XIX. Në planin shoqëror, e vlerëson Stratigoin si një revolucionar të flaktë, njeri të fjalës e të veprimit, që luftoi me pendë e me pushkë, si pjesëmarrës në radhët garibaldine. Ziaudin Kodra vlerëson gjithashtu edhe krijimtarinë e shkrimtares Musine Kokalari, duke u shprehur:”Ajo me veprën e saj, hap e para, në mënyrë origjinale, rrugën e letërsisë për fëmijë.”

Në këtë simpozium shkencor , lektorët e mirënjohur shpalosën me mjeshtëri aspektet më të rëndësishme të veprës dhe të veprimtarisë shkencore të prof. Ziaudin Kodrës. Hulumtimet e tyre të çmuara, marrë në tërësi, profilizuan qartë staturën e dijetarit të shquar, veprën e të cilit ata e ndriçuan aq bukur profesionalisht. Mendoj se kanë realizuar, (po të shprehem metaforikisht), atë çka thënë Viktor Hygoi: ”Njerëzit e shquar e përgatisin (ndërtojnë) vetë piedestalin e tyre. E ardhmja (pasardhësit) ua ngrenë statujën. Lidhur me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e traditave, gjuhës, letërsisë, artit e kulturës, arbëreshët në Itali kanë vepruar gjithnjë në një truall mjaft të favorshëm politik; krejt ndryshe nga arvanitasit në Greqi, apo shqiptarët në Serbi etj.

Carlo Tagliavini më 1935 themeloi Seminarin e Filologjisë Ballkanike në Padova, madje e ktheu atë edhe në një qendër të rëndësishme të studimeve albanologjike. Edhe sot e gjithë ditën studiuesit e njohur italianë na ndihmojnë për kërkimet gjuhësore dhe arkeologjike, duke mbrojtur e vërtetuar lashtësinë e gjuhës, të popullit e të kombit tonë. Presidenti Mattarella është shprehur në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone: ”Arbëreshët përbëjnë një histori integrimi, një shembull se si njohja dhe respekti reciprok i kulturave, sjell progres për komunitetet e ndryshme”. Matteo Mandala, profesor në Universitetin e Palermos shprehet:”Babai i presidentit Mattarella i kish kushtuar një libër At Gjergj Guxetës, themeluesit të albanologjisë moderne.”

At Gjergj Guxeta(1682 -1756), prift shqiptar, promovoi, me Papa Antonio Brancato (Ndon Brankati), themelin e Kolegjit të Mërisë, për të rejat femra arbëreshe, në Horën e arbëreshëve. Ai punoi vazhdimisht për identitetin kulturor e gjuhësor arbëresh. Ai ish themelues i Seminarit Arbëresh të Palermos (1734), një vatër e vërtetë e studimeve shqiptare, ku të rinjtë u trajnuan sipas traditave të tyre. Emri i tij lidhet, siç thuhet, edhe me zbulimin e parë të tekstit të vjetër të “Mesharit” të Gjon Buzukut më 1740. Prof. Emil Lafe i cilëson arbëreshët “një pasuri kombëtare”. Shkrimtarët arbëreshë ishin misionarë të lirisë e atdhedashurisë “në dhe të huaj”. Vepra e tyre cilivizuese shërbeu edhe si një urë lidhëse ndërmjet letërsisë shqipe dhe asaj italiane e perëndimore.

Së fundi, në planin personal, udhëtimi në Kujtesë, përmes retrospektivës, më shërben për të zbuluar disa momente të rëndësishme, që kam përjetuar, edhe në lidhje me profesorin e nderuar, të ndjerin Ziaudin Kodra. Më 1 shtator 1960 nisa rrugën e studimeve në fakultetin histori –filologji, dega gjuhë – letërsi shqipe, së bashku edhe me disa figurë të njohura që më parë, si: M.Jero, V.Koreshi, M.Vyshka, S.Mato. H.Gusho (Kadare), Sadije Kecaj (Agolli), Hasan Lekaj, M.Zamputi, B.Dizdari etj. Një kurs tejet interesant e i përkushtuar ndaj letërsisë, por edhe gjuhës shqipe, si Luan Dino etj. Madje edhe dy kinezë, si In çan Lian dhe Sy Ju Hë; mjaft të përkushtuar edhe këta, sidomos në gjuhë.

Pas leximit të kumtesave në Simpoziumin e përshkruar më sipër, bisedova me prof. Emil Lafen, ( i datëlindjes 1938), por mjaft i gjallë, me plot energji e kujtesë të shkëlqyer. E them këtë, sepse i mbante mend shumë mirë studentët e kursit tim të letërsisë. Biseda me të qe tejet e këndshme. Edhe pedagogët tanë i përkisnin një brezi të shkëlqyer: Prof. E. Çabej, Sh.Demiraj, M.Domi, S.Riza, P.Geci, S.Prifti, E.Lafe, A.Dodi etj. në gjuhë. J.Xoxa, M. Xhaxhiu, N.Gami, M.Gurakuqi, M.Bakiri etj. në letërsi. Po ashtu, edhe në lëndët e tjera.

Për t’u rikthyer në vitin 1960, prof.Ziaudin Kodra më thirri, për të më njohur. Nuk e kisha takuar kurrë më parë, kurse im atë, që kish ndërruar jetë më 1952, po. Prof. Ziaudini, në dukje autoritar e me një zë me tonalitet paksa të ngritur, m’u drejtua me dashamirësi e me një sjellje thuajse atërore. Në auditor shpjegonte me pasion e kompetencë lëndën e letërsisë. Na ndihmonte të shihnim thellë mesazhet që ofron letërsia, duke na frymëzuar. Ndërsa për provimin që kisha me të, u përgatita me një përgjegjësi të veçantë, për të mos e zhgënjyer. Mora notën sh.mirë. M’u duk i kënaqur nga përgjigjja ime.
Më ftoi pas një kohe në shtëpinë e tij. M’u shfaq mentori që më sugjeronte një edukatë pune e studimi për t’u respektuar. Kultura ish për të vetëdije për evoluim të përhershëm. Më vonë vlerësoja me mend qëndrimin e tij, duke besuar se ish i kënaqur që, një përfaqësues i fisit të tij, ndiqte studimet për gjuhë e letërsi. Duke ndjekur gjurmët e tij, kam shkruar e publikuar mjaft artikuj për gjuhhën, letërsinë, historinë kulturën e publicistikën. Mbetem student i zellshëm i tij dhe i pedagogëve të tjerë të nderuar.