Nga BUJAR QESJA

Me 23 shkurt 2024, i dhamë lamtumirën e fundit Niko Profkolës, gjeniut të topkoshit durrsak, muzikaliteti i lojës magjike të basketbollit. Dhimbje për këtë mik, shok, bashkëqytetar dhe krenar që ishim brezi i tij.

Të vimë tek binomi Bashkim Taga dhe Niko Profkola. Ishte ky mjeshtër i basketbollit, ky zotni i mirësisë dhe mrekullisë shpirtërore, që e pikasi Niko Profkolën dhe e mbajti nën “hyqmin” e tij. U kujdes në detaje për gjithçka. Taga e nuhati që çamarroku, i papërmbajturi Niko Profkola, ishte një çudi e lindur. Shkathtësia dhe shpjetësia e tij, konkuronin erën.

Dhe kur Bashkimin tonë të jashtëzakonshëm, e djeshmia e detyroi të largohej nga basketbolli, Profkola përjetoi atë dhimbje, që po përjetojmë ne tani me largimin nga jeta të kalorësit të lojës së unazës së topit. Bashkimi internohet në Sukth. Shkoi deri në sektorin Kullë. Ishin fillimet e viteve 70-të. Dhe nxënësi nuk e harroi profesorin e tij. Qanin hallet që të dy. Niko i privuar të dalë jashtë shtetit, nga një xhaxha i arratisur në Australi dhe Bashkimi ndonëse bëri luftën, i cënohet morali me vulgaritete të kohës.

Binomi Bashkim Taga dhe Niko Profkola do të jetojë, aq sa edhe historia e basketbollit durrsak. Sapo Niko mori ekipin e të rinjve, ofroi me shpejtësi të famshmin Bashkim Taga, i shkolluar në akademinë e basketbollit jugosllav. Ishte ky Bashkim që së bashku me Dhimitraq Gogën, tjetër dyshe mahnitëse kjo, përballoi me sukses makineritë gjigande të basketbollit të “Partizanit”, “Tiranës” dhe “Dinamos” që kishin mbështetje.

Niko Profkola dhe Bashkim Taga! Nderi ynë! Identiteti ynë! Tradita e jonë! Historia e çmuar e jona. Ta ruajmë si sytë e ballit! Që të dy pushojnë në dheun e lashtë të Durrësit. Që të dy pas 23 shkurtit 2024, bashkohen në altarin e kujtesës, të asaj kujtese që na ngre kryet lart të gjithëve dhe veçanërisht durrsakëve të paepur.

Bashkim Taga u lind me 3 shkurt 1921 dhe mbylli sytë me 5 shtator 1999. Jetoi 78 vite. Dhe Niko ynë, morali ynë i epërsisë, u lind me 1 qershor 1948, për t’ia dhënë shpirtin paqes së gjithkohshme me 23 shkurt 2024. Frymëmarrja e tij shkoi në më pak se 76 vite. Dhe tani së bashku në duetin e përjetësisë.

Në një foto i bëmë bashkë si dikur, Bashkim Tagën dhe Niko Profkolën. T’i ulemi në gjunjë, madje të puthim edhe tokën për këtë dyshe, histori tonën.

Bashkim Taga dhe Niko Profkola! Niko Profkola dhe Bashkim Taga! Dyshja e përjetësisë dhe kryelartësisë. Gjithnjë në shpirt dhe Durrësi në historinë e tij moderne.

*Në foto: Bashkim Taga (djathtas) dhe Niko Profkola. Fillimi i viteve 90-të.