Gazment Gazheli, 46-vjecari që u arrestua sot nga policia e Tiranës, në kuadër të operacionit “Profesori” që sekuestroi kokainë dhe heroinë, nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë.

Ai ka qenë i dënuar më parë për “Prodhim e shitje të narkotikëve”. Ai është djali i biznesmenit të njohur në vend, Petrit Gazhelit, njohur edhe si Tit Gazheli.

Ky i fundit në dhjetor të vitit 1998, teksa ishte në automjet është ndaluar dhe ështrë marrë peng. Në atë kohë, në këmbim të tij, familjes së Gazhelit i kërkuan dy milionë dollarë, ndërkohë që ai iu dhanë 400 mijë USD dhe u la i lirë.

Pak vite më vonë, ai u arrestua në Greqi pasi në kamionin me konfeksione që vinte nga Turqia u gjetën 11 kilogramë heroine.

NGJARJA NË DURRËS

Në kohën që Gazment Gazheli ka qenë 37 vjeç, Prokuroria e Durrësit kishte dërguar në kryeqytet urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal numër 240, i datës 29 prill 2009, të Gjykatës së Durrësit, e cila e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale të “kanosjes”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.

Gazheli, djali i një prej personazheve të njohur kryeqytetas, biznesmen dhe i dënuar si trafikant droge, Petrit Gazhelit, është arrestuar nga policia e Durrësit, pas denoncimit të bërë nga gruaja e tij.

Atëherë gruaja kishte pohuar në polici se bashkëshorti e rrihte sistematikisht, duke i lënë dëmtime të rënda. Pas këtij denoncimi, policia e Durrësit mbërriti në kryeqytet ku prangosi Gazhelin pranë shtëpisë së tij, te zona e Bërrylit.

Atëherë policia pohoi se gruaja e dhunuar ishte paraqitur në Komisariatin e Durrësit, krejt e lagur dhe e shpërfytyruar nga rrahjet dhe keqtrajtimi që i ishte bërë. Ajo sapo ishte paraqitur ka deklaruar se ishte nga Tirana dhe se ishte rrahur prej të shoqit, i cili e kishte keqtrajtuar dhe kërcënuar me thikë.

Ngjarja sipas saj kishte ndodhur në shtëpinë e tezes së vet, tek e cila kishte ardhur që t’i shpëtonte dhunës sistematike të burrit të saj nga Tirana. Sipas dëshmisë së saj, çifti Gazeli kishte kohë që ishin të martuar, por ata kishin kohë që nuk shkonin me njëri-tjetrin, pasi burri ishte i dhunshëm dhe e rrihte sistematikisht.

Megjithëse kishin dy fëmijë, ajo ka thënë në denoncimin e saj se ai nuk përpiqej të siguronte mirërritjen e tyre dhe vazhdimisht i torturonte ata duke ua rrahur të ëmën në prezencë. Për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje, ajo kishte shkuar në Durrës ku dhe ishte strehuar tek tezja e saj. Por, i shoqi i alarmuar pasi gruaja kishte marrë fëmijët, pasi ka gjetur adresën se ku banonte e ka rrahur dhe duke e kërcënuar me thikë i ka rrëmbyer asaj të dy fëmijët.