6 korrik 2015 – Sokol Mjacaj nuk ishte një emër i panjohur për organet e drejtësisë në Shqipëri. Arrestimi i djeshëm e çon në 3 numrin e arresteve brenda 5 vitesh për vrasësin 20-vjeçar.
Fillimisht u arrestua në 12 shtator të 2010-s. Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e kishte dënuar të riun nga fshati Lotaj i Dukagjinit, me 10 vite burg për bashkëpunim në vrasjen e një 13-vjeçari, gjatë grabitjes së një varëseje floriri. Në 4 janar 2013 kjo çështje ka kaluar në Gjykatën e Apelit, e cila pas rishqyrtimit të çështjes i ndryshon akuzën, nga bashkautor në vrasje në “Moskallëzim të krimit” duke e dënuar me 4 vjet burg.
Pas shlyerjes së këtij dënimi autori Sokol Mjacaj kryen sërish një vepër penale. Më 24 dhjetor 2014 ai del sërish përpara gjykatës për veprën penale të “Vjedhjes” dhe dënohet me 1 vit e gjashtë muaj burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul një e treta e dënimit duke vuajtur vetëm një vit burg. Këtë vendim ai e apelon duke pretenduar se, ky dënim ishte shumë i lartë për moshën e tij. Mirëpo Apeli nuk e pranoi kërkesën dhe la në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Vetëm 3 muaj pasi doli nga burgu, ai kreu krimin e radhës, duke vrarë dy turistët çekë. I arrestuar për herë të tretë, tashmë mbi 20-vjeçarin rëndon akuza e vrasjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





