Gerhard Progni e nisi sezonin me Partizanin, por në limitet e merkatos së verës, ai iu bashkua Teutës. Asnjëherë nuk u mësua saktësisht se çfarë e detyroi Prognin që të largohet nga “demat”.

Madje, këtë gjë ai refuzoi ta thotë edhe të dielën, i ftuar në emisionin “Fair Play”. “Ky është Partizani i drejtorit (Olsi Rama), jo i trajnerit Skënder Gega, pasi ai vetëm Hilën ka afruar. Nuk dua të kthehem pse e lashë Partizanin apo si erdhën punët. Tani dua të flas vetëm për Teutën. Partizani me ato lojtarë, ka më shumë se ne te Teuta, pasi ne kemi shkuar në ditët e fundit. Nuk jemi ende në 100 për qind dhe nuk është Teuta që të gjithë presim”, u shpreh ish-lojtari i të kuqve, Progni.