Gerhard Progni do pikë ndaj Skënderbeut. Ky duel do të jetë i veçantë për të, pasi rikthehet në Korçë, por këtë herë me statusin e “ish”-it. Mesfushori i Teutës vlerëson kundërshtarin, por shfaq bindjen se skuadra e tij nuk do të humbasë në këtë transfertë delikate. Ai e thotë hapur se rekordet e korçarëve nuk i interesojnë.

Gerhard, këtë javë përballeni me Skënderbeun, ekip që numëron 5 fitore radhazi…

Është një ndeshje mjaft e vështirë. Përballë kemi Skënderbeun që do të kenë në krah edhe faktorin fushë. Kjo e vështirëson akoma më shumë. Megjithatë, ne do të shkojmë vetëm për të bërë detyrën në Korçë, pa parë emrin e kundërshtarit.

Mendoni se mund t’i thyeni korçarët?

Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë atje, nuk mund të them se si do të përfundojë ndeshja, por që e sigurt që nuk shkojmë atje për të vizituar qytetin, por për të marrë pikë. Do të luajmë për të marrë një rezultat pozitiv. Rekordet dhe fitoret e Skënderbeut nuk na interesojnë shumë për aq kohë sa ne duam rezultatet tona.

Teuta dhe Skënderbeu kanë zhvilluar gjithnjë ndeshje të hapura dhe me spektakël. A do të kemi të njëjtën tablo nesër?

Kjo është më shumë se e vërtetë. Unë mbaj mend nga koha kur luaja me Skënderbeun, që Teuta na ka marrë pikë, por edhe na ka mundur. Jo se jam pjesë e durrsakëve, por kjo skuadër, të paktën nën drejtimin e Maganit, po prodhon ndeshje të bukura. Me lojën e hapur, u japim të drejtën tifozëve të pranishëm në stadium që të kënaqen.

Ju jeni “ish” në këtë duel, a mund të na thoni si mposhtet Skënderbeu?

Është e vështirë t’i mundësh atje, pasi janë një ndër ekipet më të forta. Por, e thashë, ne shkojmë për pikë, nuk i trembemi asnjë kundërshtari. Nuk na intereson fusha apo emri i kundërshtarit, do futemi në fushë për të dhënë dhe marrë më të mirën.

Cilin nga tre ekipet pretendente shikoni më pranë titullit?

Do të jetë një kampionat i fortë dhe i bukur. Si rrallëherë, të gjitha skuadrat kanë nga një objektiv. Po të shohim tre të parat janë në luftë për titull, nga e katërta e në fund janë në lojë për Kupat e Europës, por dhe për mbijetesë, ndoshta duke përjashtuar ekipin e fundit. Por, për mendimin tim, ekipi i Skënderbeut ka organikë më të kompletuar dhe e fiton titullin kampion.

Një humbje, a do ta ndërlikonte misionin “mbijetesë” për Teutën?

Nuk jam i këtij mendimi, ka ndeshje shumë për t’u luajtur dhe një humbje thjesht do të bëjë që të mos kemi tri pikë më shumë. E rëndësishme është që të fitojmë ndeshjet brenda dhe të mposhtim rivalët direkt. Edhe pse nuk e mendoj një humbje në Korçë.