Gerhard Progni ka pranuar se penalltia që u akordua nga Enea Jorgji ndaj Vllaznisë ishte e dyshimtë, por më parë ju mohua një penallti Teutës. Mesfushori i Teutës pohoi se ishte i bindur se nëse Jorgji do të jepte penallti në një episod të mëparshëm, nuk do të kishte kontestime nga Vllaznia.“Jam lojtar i Teutës dhe edhe në rastin po të mos ishte kontakti në rastin e parë do të thosha se ishte. Por po ju them se ka një kontakt nga mbrojtësi i majtë dhe gjyqtari nuk e dha. Po të jepte penalltinë, me 100% ishte në rregull, nuk do të kishte as kontestime. Penalltia e dhënë? Edhe sulmuesi do e bëjë një simulim, do e vjedhë një penallti, nuk jemi të parët ne në Shqipëri. Por po te jepte të parën nuk do të kishin ndodhur këto kontestime”, tha mesfushori.
I pyetur nëse shpresonte të fitonte Kupën, ai pohoi se i mungonte ky trofe. “Është e vërtetë që nuk e kam fituar më parë, kam shkuar deri në finale me Kukësin por e humbëm ndaj Flamurtarit. Tani ndoshta kam fatin ta fitoj, por të rrimë me këmbë në tokë, të mos marrim kot. Titulli? Besoj se edhe këtë vit do ta marrë Skënderbeu”, deklaroi Progni.