Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar dëgjesë publike me banorët e njësive administrative Manzë e Ishëm për programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës si ai i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publike dhe i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar.

Kjo dëgjesë u zhvillua në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026. Në këtë takim përveç banorëve të këtyre njësive merrnin pjesë përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF, grupet këshillimore si dhe komisione të Këshillit Bashkiak.

“Bashkëbiseduam me pjesëmarrësit për investimet e mëdha që janë kryer në këto dy njësi ku është bërë një punë e madhe me procesin e rindërtimit duke patur rezultate jo vetëm për strehimin ku janë ngritur lagje model urbane, por edhe në arsim ku janë ndërtuar shkolla e kopshte të reja e shumë investime të tjera në fusha të ndryshme. Gjithë këto investime janë mundësuar me mbështetjen e fuqishme të qeverisë shqiptare”, shprehet Sako.

Më pas u prezantuan edhe programet buxhetore për PBA 2024 – 2026 ku bashkëbisedimi u ndal për investimet prioritare në vazhdimësi.

Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.