Qeveria e Britanisë së Madhe tha të martën se të gjitha faqeve të internetit me përmbajtje për të rritur do t’u kërkohet ligjërisht të verifikojnë nëse përdoruesit janë 18 vjeç e lart, si pjesë e rregullave të reja të sigurisë në internet.
Sipas projektligjit të qeverisë për sigurinë në internet, faqeve +18 do t’u kërkohet ligjërisht të vendosin “kontrolle të forta” për të mbrojtur fëmijët nga qasja në to.
Kompanitë do të duhet të përdorin teknologjinë e sigurt të verifikimit të moshës për të konfirmuar që një përdorues ka një kartë krediti ose të përdorin një shërbim të palës së tretë për të konfirmuar moshën e një përdoruesi kundrejt të dhënave qeveritare.
Kështu nëse një person nën 18 vjeç do të futet në një faqe me “pullë të kuqe”, duhet të ngarkojë më parë një kartë identeti ose pasaportë që provon se ka mbushur 18 vjeç ose një kartë debiti apo krediti që vërteton se është ai personi dhe është mbi 18 vjeç.
Zyrtarët thanë se nëse faqet dështojnë të përmbushin këtë detyrim, ato do të gjobiten deri në 10% të xhiros së tyre vjetore globale. Faqet shkelëse gjithashtu do të bllokohen në Mbretërinë e Bashkuar nga rregullatori i komunikimit dhe shefat e kompanive do të procedohen penalisht.





