Këshilli Bashkiak i Shijakut ka miratuar listën e përfituesve nga Programi i Granteve dhe Programi i Rindërtimit. Pasi ka përfunduar vlerësimi i dosjeve të dëmtimit nga tërmeti tashmë hapet rruga për grantet dhe Rindërtimin.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit bashkiak, e cila u transmetua dhe live në rrjetet sociale, ka falenderuar Qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin për Rindërtimin e Shijakut. Kjo ishte hera e parë që Këshilli Bashkiak Shijak mblidhet në sallë që nga nisja e pandemisë Covid-19. Mbledhja u zhvillua duke respektuar masat mbrojtëse të distancimit fizik.
Ai ka falenderuar gjithashtu administratën që kanë punuar nga 18 orë për të përmbyllur vlerësimin e dosjeve të secilës familje të prekur.
Ndër çështjet e diskutuara dhe më pas të votuara unanimisht nga anëtarët e Këshillit Bashkiak ishin:
- Për dhënien e ndihmës ekonomike në lidhje me fondin e veçantë për shumën e dyfishuar të periudhës 1-30 prill 2020.
- Për dhënien e ndihmës ekonomike në lidhje me fondin e veçantë për periudhën 1-31 maj 2020.
- Për dhënien e ndihmës ekonomike në lidhje me fondin 6% për periudhën 1-31 maj 2020.
- Për miratimin e listës së përfituesve nga Programi i Zhvillimit të objekteve të reja.
- Për miratimin e listës së përfituesve nga Programi i Granteve të Rindërtimit.
Gjatë mbledhjes pati diskutime konstruktive në lidhje me çështjet e trajtuara, duke qartësuar vendimet dhe duke ruajtur transparencën.





