Teuta pritet që të kthehet në shoqëri aksionere, ndërsa ortakë do të jenë pikërisht Ardian Bardhi dhe presidenti aktual Edmond Hasanbelliu. Gjithashtu pritet që sponsor të jetë dhe FIAT, së bashku me Bashkinë e Durrësit. Klubi durrsak po harton një projekt afatgjatë, ku prioritet do t’i jepet akademisë. Dhe përgjegjësi për akademinë do të jetë pikërisht Gugash Magani.Ky projekt afatgjatë do t’i besohet pikërisht trajnerit peqinas, i cili pritet që të rinovojë kontratën e tij. Ndërkohë ekipi do të ketë dhe një mbështetje më të madhe nga tifozët, kjo duke u bazuar në projektet që skuadra ka dhe për mbështetësit e tyre.Duke krijuar dhe suportuar grupe të cilat do të jenë energjia e ekipit dhe jo vetëm në stadium, por dhe duke marrë pjesë në analiza apo dhe duke ndjekur stërvitjen. Pra, një model ndryshe nga shumë klube, më së shumi “europian”. Mbetet për t’u parë nëse këto ndryshime do të vihen në zbatim direkt, pasi sikundër dihet deri më tani janë larguar një pjesë e madhe e futbollistëve.Teuta e re do të bazohet te gërshetimi i përvojës me talentin, por këtë herë do të përzgjidhen elementë që e ndiejnë peshën e fanellës dhe jo të shikojnë Durrësin si një “trampolinë” për karrierë. Për momentin janë të konfirmuar Çyrbja, Shkalla, Hila, Tarik, Beqja, si dhe pritet që të rinovojnë Progni me mbrojtësin Markoviç.
Klubi pret përgjigjen e portierit Kastrati, i cili është në kontratë me italianët e Peskarës, ndërsa e ardhmja e Hodos mbetet për t’u diskutuar. Do të jetë Magani që do të japë fjalën e fundit.