Është prezantuar një ditë më parë projekt-ideja e re për rivitalizimin e Kalasë së Elbasanit, në një takim ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri Blendi Gonxhja, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja, si dhe bashkëdrejtuesit e AADF Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Projekti, i prezantuar nga arkitekti Emre Arolat në bashkëpunim me MVM Architecture, përfaqëson fazën e parë të një ndërhyrjeje të gjerë që synon transformimin e Kalasë në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik.

Sipas prezantimit, nisma ka si qëllim rikthimin e identitetit historik të Kalasë, vlerave të saj arkeologjike dhe rolit në jetën e qytetit, duke e shndërruar në një hapësirë më të aksesueshme dhe funksionale për qytetarët dhe vizitorët.

Projekti parashikon ndërhyrje të integruara për përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e potencialit turistik dhe rijetëzimin e zonës historike, me synimin për ta kthyer Kalanë e Elbasanit në një motor të ri zhvillimi ekonomik dhe kulturor për qytetin.

Pas prezantimit, pritet vijimi i rakordimit institucional dhe ndjekja e procedurave përkatëse deri në miratimin final të projektit. Fondacioni AADF financon hartimin e projektit, duke sjellë ekspertizë nga arkitektë të njohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Elbasan, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, së bashku me AADF dhe FSHZH, do të ndjekin më tej zbatimin e projektit në të gjitha fazat e tij.