Parlamenti do të mblidhet ditën e sotme në një seancë ku pritet të kalojë një projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin.

Në këtë seancë nuk do të marrë pjesë Partia Demokratike, e cila e konsideron si të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit.

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS-së,Taulant Balla është shprehur se Shqipëria me këtë iniciativë qëndron përkrah aleatëve të saj strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në projekt-rezolutën e propozuar në Kuvend, Shqipëria dënon vendimet e Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës.

Po ashtu, dënohen sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike.

Parlamenti i bën thirrje qeverisë përmes projektrezolutës që të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizimin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike si dhe të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere.

Përveç Iranit si shtet që sponsorizon terrorizimin Shqipëria kërkon shpalljen si organizata terroriste të Gardës Revolucionare dhe Hezbollahut.