16 dhjetor 2013- Është mbledhur paraditen e sotme Konferenca e Kryetarëve e cila është shoqëruar me debate mes deputetëve të opozitës dhe të maxhorancës sa i përket projektbuxhetit të shtetit. Në fjalën e tij kryetari i grupit të PD, Edi Paloka ka theksuar se projektbuxheti vjen sot në Konferencë në shkelje totale të ligjit, pasi duhet të ishte dorëzuar me kohë.
“Sipas nenit 79 për të përcaktuar kalendarin për projektbuxhetin duhet që kryetari i komisionit për ekonominë së bashku me relatorin, t’i paraqesin kryetarit të Kuvendit projekt kalendarin” tha Paloka, duke shtuar se nëse një telefon quhet mbledhje, atëherë është tjetër gjë. Çdo gjë bëhet që t`i mbahet e fshehtë shqiptarëve se çfarë do të ndodhe me këtë buxhet, çfarë do të ndodhë me ta, taksat dhe paratë e tyre”, u shpreh Paloka.
Por kryetari i Kuvendit Ilir Meta argumentoi se shkak për vonesën janë bërë negociatat që qeveria ka pasur me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Është e vërtetë që nuk jemi në afatet e përcaktuara, por qeveria ka qenë në negociata me FMN dhe institucione të tjera ndërkombëtare, pasi ka qenë e domosdoshme që të binim dakord për disa politika fiskale. Kjo ka qenë arsyeja, që sipas mendimit tim ka qenë objektive” tha Meta.
Ai gjithashtu theksoi se pretendimet e opozitës për vonesën e sjelljes së projektbuxhetit në Parlament janë pretekse dhe se ajo nuk do të bashkëpunojë me maxhorancën.





