• “Kokëkrisuri”: Ka ardhur momenti që skulptura të shihet ndryshe, duhet të jetë pjesë e modelimit dhe peizazhit qytetës
• Një nga pionierët e skulpturës së parkut në Durrës qysh para viteve 1990, sikurse ishin ato në lulishten në hyrje të qytetit të Durrësit (grila dekorative dhe shatërvani me mozaik e pulëbardha), që u dëmtuan dhe u shkatërruan gjatë viteve të tranzicionit
DURRËS, 14 dhjetor 2014 – Një skulptor “sherrxhi”, i cili ngre një ekspozitë për të bërë më “plastik” qytetin bregdetar, duke ftuar në debat, që nga të rinjtë, urbanistët deri dhe kryebashkiakun e Durrësit.
Para disa ditësh, në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” në qytetin e Durrësit u hap ekspozita e skulptorit Qazim Kërtusha me titull “Plastikë urbane dhe grishje për diskutim”. Autori shpjegon se veprat e paraqitura janë grup projektesh të punuara në vite. “Kam 20 vjet që punoj. Unë e dua qytetin tim. Jam munduar të pasqyroj ngjarjet e mëdha. Për shembull në projektet, që mendoj se duhen vendosur në qendër të qytetit, është ai për Eksodin e 1991-shit, Shën Astin etj. Bashkia le të organizojë konkurse”.
Kërtusha thotë se ka ardhur momenti që skulptura të shihet ndryshe. Ajo duhet të jetë pjesë e modelimit urban, pra, pjesë e peizazhit qytetës. Artisti mendon se bashkëpunimi midis skulptorëve dhe urbanistëve duhet të jetë shumë i madh. Prandaj dhe ekspozitën e ka trajtuar si një debat publik, ku sidomos kërkohet nxitja dhe hyrja e të rinjve në “lojë”, në “lojën” e plastikës urbane, në një lloj “tregu” idesh. Kërtusha flet reagimin e madh ndaj ftesës së tij. Vlerëson debatet që ka bërë me të rinjtë, të cilët, sipas tij, kanë më shumë informacion dhe janë më të prirë ndaj së resë. Madje, tregon se ka bërë debat dhe me kryetarin e bashkisë Vangjush Dako.
HUMBJET
Qazim Kërtusha dallohet për “kokëkrisjen” e tij artistike, jokonformizmin dhe idetë novatore për skulpturën e zbatuar në mjedise urbane. Është një nga pionierët e skulpturës së parkut në Durrës qysh para viteve 1990, sikurse ishin ato në lulishten në hyrje të qytetit të Durrësit, përballë stacionit hekurudhor të udhëtarëve, që, fatkeqësisht, u dëmtuan dhe u shkatërruan gjatë viteve të tranzicionit. Grilën dekorative dhe shatërvanin me mozaik i gjen vetëm nëpër filmat artistikë apo në ndonjë foto të kohës (shih montazhin poshtë).
MBIJETESA E XHAMIT
Kërtusha, tani mbi 60 vjeç, nuk frikësohet nga humbjet epike të kohës. Kur i thanë se të mos vendoste në faqen lindore të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu instalacionin-kompozim me bronz dhe qelq se mos thuhej qelqi, tha “punë e madhe!”, por nuk ndodhi asgjë. Një nga veprat më të bujshme në skulpturën e parkut është kompozimi i këngëtarit britanik Xhon Lenon (John Lennon), një nga atraksionet turistike më interesante të Durrësit.
Info
Qazim Kërtusha, e ka nisur karrierën e vet 35 vjet më parë. Artisti 60-vjeçar, Qazim Kërtusha, e ka nisur karrierën e vet 30 vjet më parë. Ai është njëri ndër skulptorët më aktivë në jetën artistike të Shqipërisë. Mes shumë veprave të tjera, ai është autor dhe bashkautor i shtatores së Aleksandër Moisiut në Vjenë të Austrisë, i shtatores së Haxhi Zekës në Pejë, i shtatores së dëshmorit të UÇK-së Indrit Cara, dhe shtatores së ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush në Fushë Krujë dhe i bustit të dom Nikollë Kaçorrit, zëvendëskryeministrit të qeverisë së pavarësisë, kompozimit në skulpturë parku të John Lennon-it para “Fly”-it, etj. Në studion e tij presin të marrin jetë edhe shumë vepra të reja për heronj dhe simbolika të ndryshme të jetës shqiptare. Qazim Kërtusha është një nga punonjësit më të vjetër të muzeut arkeologjik Durrës, me ndihmesa në restaurim, i “peshkuar” nga babai i arkeologjisë durrsake dhe nja nga figurat më të mëdha të muzeologjisë shqiptare, Vangjel Toçi, që nuhati talentin e pazakontë të artistit. Por që u pushua nga puna nga një ministër durrsak i Kulturës. Gjithsesi, nuk i pëlqen të bëhen publike “qyfyret” e tij me pushtetarë të djathtë dhe të majtë. 
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





