Qazim Kërtusha është një prej skulptorëve më aktivë në vendin tonë. Ai ka në kokë me dhjetëra ide e projekte që pret t’i skalisë me profesionalizëm, siç vetëm ai di të bëjë. Për “Durrës Lajm” skulptori me një eksperiecë rreth 40-vjeçare rrëfen plot pasion projektin e tij më ambicioz, për të cilin ka rreth një vit që po punon. Skulptori do të realizojë Gean, si një grua që i bie violinçelit, mbi një pasqyrë uji, e rrethuar nga fruta të ndryshme. Në mitologjinë greke Gea simbolizon pjellorinë, ajo mban në prehër dy fëmijë dhe gjoksin e ka të zbukuruar me rrush e shegë. Një skulpturë e Geas u gjet në vitin 2005, në qytetin e Durrësit, ku Kërtusha ishte pjesë e stafit që punoi për nxjerrjen e saj.

Si restaurator në Muzeun arkeologjik ai shprehet se e njeh nga afër figurën e Geas, pasi ai kujdeset çdo ditë për të në muze, e lan, e pastron, e kuron kur duhet. Një skulpturë e tillë ka vlera të jashtëzakonshme për vendin tonë.

Përveç hyjneshës së pjellorisë, Qazim Kërtusha ëndërron të realizojë një sërë projektesh të tjera si: një bust të Shën Astit, që të vendoset në qytetin e Durrësit, ku dhe i takon, pse jo edhe pranë kishës ortodokse, meqë ai ka qenë ndër predikuesit e parë të krishtërimit në Iliri. Mendja e tij gëlon nga dhjetëra projekte për eksodin. Gjithashtu artisti dëshiron të realizojë një skulpturë të Karl Topisë dhe  të realizojë një projekt për 100- vjetorin e lindjes së piktorit Ibrahim Kodra.

Skulptori durrsak me origjinë nga Ishmi, të impresionon me kreativitetin e tij. Çdo ditë, prej 38 vjetësh, kujdeset për vepra të antikitetit në muze, por është po aq i zoti të krijojë edhe skulptura moderne. Tek Kërtusha ndërthuren një sërë njohurish kulturore-artistike të fituara nga shkolla shqiptare, italiane, ruse etj, por edhe nga vizitat në qindra muze botërorë.

Me mjeshtërinë e tij ai ka realizuar vepra të tilla si: John Lennon, këngëtarin e grupit “Beatles”, në bronz. Skulptura është vendosur përballë hyrjes së portit dhe pakkush nuk ka ndaluar për të shkrepur një foto me të.

Kërtusha është autor dhe bashkautor i shtatores së Aleksandër Moisiut në Vienë të Austrisë, i shtatores së Haxhi Zekës në Pejë, i shtatores së dëshmorit të UÇK-së Indrit Cara dhe shtatores së ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush në Fushë Krujë si dhe i bustit të Dom Nikollë Kaçorrit, zv.kryeministrit të qeverisë së pavarësisë etj. 

Me kreativitetin e tij, nga skulptori që nuk bën kompromise, por vetëm forcon individualitetin e tij, presim të shohim padyshim shumë vepra të tjera të bukura që do të zbukurojnë imazhin e Durrësit.

R.O.