Pas tërmetit të 26 nëntorit, dy nga shkollat në qendër të Durrësit “Shaqe Mazreku” dhe “Bedrie Bebeziqi” u dëmtuan dhe Instituti i Ndërtimit vendosi për demolimin e tyre.

Tek të dy shkollat kanë nisur punimet për rindërtimin, por ndërsa tek “Shaqe Mazreku” është ngritur edhe kati i tretë, tek “Bedrie Bebeziqi” projekti është në fazën e themeleve.

Por si do të duken këto dy shkolla në përfundim të punimeve? Projektet janë prezantuar nga kryeministri Edi Rama (fotot dhe video poshtë), i cili i mëshon fort idesë se ato do të hapin dyert më 26 nëntor.

Dy shkollat në qendër të Durrësit kanë një numër të konsiderueshëm nxënësish; “Shaqe Mazreku” ka 702, ndërsa “Bedrie Bebeziqi” ka 431. Pas tërmetit të frikshëm, nxënësit e këtyre shkollave i ndoqën  mësimet respektivisht tek “Jan Kukuzeli” dhe “Gjergj Kastrioti” në turnin e dytë.

Pandemia Covid-19 i detyroi që në mars të mbylleshin në shtëpi, ndërsa vitin shkollor ta përfundonin online. Ndërsa sot shënon 1 shtator dhe data 14 vjen së shpejti, ende ka shumë paqartësi lidhur me zhvillimin e procesit mësimor.

Në Durrës ka shumë shkolla të shembura, tek të cilat ka nisur procesi i rindërtimit, ndërkohë që gjimnazet e programuara për t’u shembur pritet të demolohen në një fazë të dytë, pasi rindërtimi i tyre është marrë përsipër nga UNDP, e cila do të realizojë edhe pajisjen e tyre me bazë materiale.

Nuk dihet ende nëse gjimnazistët e shkollave të mesme “Naim Frashëri”, “Gjergj Kastrioti”, “Olsi Lasko” etj do të rikthehen në banka këtë mes shtatori, në një kohë që Instituti i Ndërtimit ka vendosur për shembjen e tyre.

Kujtojmë se këto shkolla ishin funksionale pas tërmetit, deri në nisjen e pandemisë Covid-19.

Nga procesi i rindërtimit dhe rikonstruksionit do të përfitojnë në Durrës 32 shkolla, kopshte dhe çerdhe, ndërsa në shkallë vendi do të jenë 143 godina arsimore.