Shumë shpejt, njerëzit do të mund të fluturojnë nga njëri qytet në tjetrin brenda pak minutave. Ky është premtimi i Elon Musk, sipërmarrësit të suksesshëm në fushën e raketave dhe automjeteve.

Musk e bëri këtë premtim gjatë Kongresit Ndërkombëtar Astronautik (IAC) që po zhvillohet në Adelaide të Australisë.
Sipas tij së shpejti udhëtimi nga Londra drejt New York do të zgjaste për vetëm 29 minuta.

Musk tha më tej se synon të nisë dërgimin e njerëzve në Mars në vitin 2024. Ai kishte njoftuar edhe më parë planin e tij ambicioz vitin e kaluar, ndërsa këtë herë ai erdhi me më shumë detaje rreth tij.

Kompania e zotëruar prej tij, “Space X” pritet të nisë ndërtimin e anijeve të nevojshme kozmike për të realizuar misionin e tij, që nga viti i ardhshëm.

Ai shpjegoi gjithashtu se po e rifokuson punën e “Space X” drejt vetëm një lloj mjeti transporti, i njohur si “BFR”, që do të mundësonte edhe udhëtimet ndërplanetare.

Pajisjet fluturuese “BFR”, edhe pse janë ende të mëdha, tashmë kanë disa metra më pak, me përmasat që shkojnë në 106 metra lartësi (gjatësi) dhe 9 metra gjerësi. Diferenca kryesore krahasuar me versionin origjinal ka të bëjë me kostot, deklaroi amerikani i lindur në Afrikën e Jugut, Elon Musk.

“Mendoj se e kemi gjetur mënyrën sesi do të paguajmë për të, e kjo është shumë e rëndësishme”,- tha Musk.