Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) po përfiton ndjeshëm nga përfshirja në projektin IoT-ECO – “IoT Green Transformation for Academic Society and Business Oriented Ecosystem in Western Balkans”, një nismë europiane e mbështetur nga programi Erasmus+ CBHE. Ky projekt synon të forcojë kapacitetet akademike, të modernizojë arsimin e lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të krijojë një urë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe industrisë përmes teknologjive të avancuara si Internet of Things (IoT) dhe Digital Twin.

Në thelb të projektit qëndron ndërtimi i një ekosistemi të gjelbër dhe të orientuar drejt biznesit, ku institucionet e arsimit të lartë, kompanitë dhe autoritetet publike bashkëpunojnë për të zhvilluar zgjidhje të zgjuara që adresojnë sfidat e mjedisit dhe efikasitetit energjetik në rajon. Për Universitetin “Aleksandër Moisiu”, ky projekt ka sjellë një sërë përfitimesh konkrete dhe me ndikim afatgjatë.

Transformimi i arsimit përmes teknologjisë dhe bashkëpunimit me industrinë

IoT-ECO ka hapur rrugën për modernizimin e kurrikulave mësimore, duke përfshirë temat më aktuale dhe të kërkuara në treg si IoT, sensorët, menaxhimi i të dhënave në kohë reale dhe modelet e binjakëve digjitalë(Digital Twin). Në këtë mënyrë, studentët e UAMD po pajisen me njohuri dhe aftësi praktike të nivelit europian, duke u bërë më konkurrues në tregun e punës dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Një element kyç i projektit është ndërlidhja e fortë me nevojat e industrisë dhe sektorëve publikë, duke e kthyer universitetin në një aktor strategjik në zhvillimin e politikave të qëndrueshme. Kjo ndërthurje e arsimit me industrinë i jep një dimension praktik të rëndësishëm formimit universitar dhe e bën arsimin të zbatueshëm në jetën reale.

Ndërtimi i një Digital Twin për Portin e Durrësit: një model për zhvillim të zgjuar

Një nga komponentët më të rëndësishëm ku UAMD është e angazhuar brenda projektit është krijimi i një modeli Digital Twin për Portin e Durrësit, me fokus të veçantë në efikasitetin energjetik. Ky model do të simulojë në mënyrë digjitale operacionet dhe funksionimin e portit, duke mundësuar analiza të thelluara mbi konsumin e energjisë, ndotjen, rrjedhën e mallrave dhe logjistikën.

Stafi akademik dhe studentët janë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces, duke punuar në grupe ndërdisiplinore për të ndërtuar skenare të ndryshme të menaxhimit të burimeve në port dhe për të testuar zgjidhje teknologjike që reduktojnë ndikimin mjedisor. Ky projekt i jep studentëve mundësinë të jenë pjesë e një nisme reale me impakt të matshëm, ndërkohë që forcon rolin e universitetit si qendër kërkimore dhe inovative në rajon.

Trajnime ndërkombëtare dhe shkëmbime njohurish

Përveç përfitimeve për studentët, edhe stafi akademik i UAMD ka përfituar nga projekte të zhvillimit profesional, përmes trajnimeve ndërkombëtare, shkëmbimeve akademike dhe bashkëpunimeve me universitete partnere në Bashkimin Europian. Këto përvoja po përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe po krijojnë një frymë të re modernizimi në universitet.