16 qershor 2015 – Përveç sfidës së urbanizimit të zonës së ish-Kënetës, apo Durrësit të Ri, siç e quan kandidati i majtë Vangjush Dako, ka edhe një projekt për gjelbërimin intensiv të saj.

Dako deklaroi se projekti, i cili do të nisë në janarin e vitit të ardhshëm quhet “Projekti Paulounia” dhe është “Projekti i jetës së Vangjush Dakos”.

Në çdo banesë, bashkia do të mbjellë 2 rrënjë pemë, të cilat brenda 3 vitesh lëshojnë shtat dhe bëhen 15 m të larta.

Duke u thënë banorëve të ish-Kënetës se mendja i kishte mbetur vetëm për realizimin e këtij projekti, Dako tregon dhe një histori të shkurtër se i ka shkruar një letër dhe ish-kryebashkiakut të Nju-Jorkut.

“Përpara dy vitesh, ish-kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut hapi një konkurs për të gjithë kryetarët e bashkive të botës, për t’u dhënë një ide se si do mund të zhvillonin qytetet e tyre. Unë i shkrova dhe i dhashë një ide për zhvillimin e të gjithë zonës informale, të cilën kur e shikon nga lart vëren vetëm godina, vetëm objekte.

Mendova që të gjithë këtë zonë ta mbjell me pemë, dhe kur ta vështrosh nga sipër të shikosh vetëm ngjyrën e gjelbër. Po kërkoja ta zhvilloja këtë projekt, por ai kishte një kosto shumë të lartë dhe kërkonte shumë kohë. Megjithëse nuk e fitova këtë projekt, që nga ajo kohë mendja ime ka punuar vetëm për realizimin e tij.”

Por, pavarësisht se nuk e fitoi projektin, Dako thotë së e gjeti zgjidhjen e duhur, duke e konsideruar si projektin e jetës së tij.

“Dhe një ditë të bukur takova këtë zonjën italiane, e cila më tha se ne kemi një bimë, një pemë, e cila rritet për 3 vjet dhe arrin 15 m lartësi. I thashë se kam gjetur zgjidhjen e duhur, se unë këtë e kam projektin e jetës sime, duke synuar që të mbjell territorin e zonës informale me këtë pemë. Këtë projekt do ta bëjmë realitet që në fillim të vitit të ardhshëm. Në janar, me një investim prej rreth 100 mijë dollarësh, ne do të realizojmë të mbjellim në çdo shtëpi nga 2 pemë”, u shpreh Dako.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/