Punimet për ndërtimin e portit të ri të peshkimit në Durrës pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa kompania fituese e tenderit ka ngritur kantierin e makinerive dhe automjeteve të rënda brenda hapësirës portuale. APD ka krijuar të gjitha lehtësitë për një veprimtari normale ndërtuese, si dhe për qarkullimin pa probleme të automjeteve të punës gjatë 24 orëve.

Kontrata me kompaninë austriake “Straberg”, e cila u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar për realizimin e projektit është nënshkruar më 14 gusht të këtij viti dhe punimet për ndërtimin e portit të peshkimit do të përfundojnë brenda një periudhe 20-mujore.

Pjesa më e madhe e makinerive kanë mbërritur dhe kantieri po ngrihet në kalatën 0, shumë pranë mjediseve të punës. Ndërtimi i portit të peshkimit do të realizohet me financimin e Bankës Islamike me një fond prej 14.6 milion dollarë, të ndarë në dy lote.

Porti i peshkimit do të ndërtohet ngjitur me portin detar të Durrësit, i mbështetur pjesërisht në muret dallgëthyese të pjesës perëndimore të tij. Projekti parashikon ngritjen e një skoliere (barriere me gurë) prej 800 metra linear përballë murit perëndimor të portit, nga vendi ku ndodhet kapiteneria deri në godinën e stacionit meteorologjik.

Brenda basenit ujor prej 8 hektarë, që do të krijohet mes dy mureve, do të ndërtohen tre pontile (ura) me gjerësi 4 metra dhe me gjatësi 84 metra secila. Me ndërtimin e portit të ri do të mundësohet ankorimi i 130 motopeshkatoreve njëherësh. Largimi i motopeshkatoreve nga zona e tanishme do të çlirojë 100 metra kalatë dhe një sipërfaqe prej 2.8 ha.