Vijon diskutimi në Kuvend për portin e ri turistik të Durrësit. Ditën e sotme në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese ka raportuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ajo u shpreh se projekti i ri synon që të kthejë Durrësin në një pikë të fuqishme dhe strategjike sa i përket turizmit, por po ashtu do të ketë impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, duke ndikuar kështu edhe në rajon.
“Pjesëmarrja e shtetit si subjekt aktiv në investime me interes publik së bashku me investitorë privatë është një praktikë e përhapur në vendet e zhvilluara sidomos në ato vende të BE-së dhe vlen të thuhet se është hera e parë që Republika e Shqipërisë do të jetë bashkëaksionere në një projekt kaq të madh duke mbajtur, ashtu siç jeni informuar edhe nga materiali që është shpërndarë, 33% të aksioneve dhe në këtë formë shteti do të ketë një rol kyç edhe në fazën e zbatimit të investimit duke ushtruar një kontroll të rëndësishëm dhe të drejta vendimmarrëse, përfshi dhe të drejtën e vetos. Përmes vetos dhe fuqisë që ka Republika e Shqipërisë si aksionere me 33% në këtë projekt do të kemi mundësi që të ruajmë interesin publik dhe moscënimin në asnjë rast të pozitës së shtetit shqiptar. Këto aksione do të jenë gjithmonë në kontroll të shtetit përmes anëtarëve që do të ketë në bordet drejtuese me të drejtën e vetos”, u shpreh Balluku.
Balluku sqaroi edhe pse u zgjodh Durrësi. Sipas saj, kishte disa arsye pse u zgjodh që porti aktual të zhvendosej në Porto Romano. Ato janë ndotja ambientale, problematika me trafikun, ndotja akustike, por më e rëndësishmja ishte ezaurimi i kapaciteteve përpunuese të portit aktual.
“Kriteri më i rëndësishëm që na ka bërë për të marrë vendimin e spostimit të portit të Durrësit nga zemra e qytetit në një zonë industriale pak kilometra larg, që është zona e Porto Romanos, ishte dhe ezaurimi i kapaciteteve përpunuese të këtij porti”, u shpreh Balluku, e cila theksoi se Shqipëria synon të kthehet në një “hub” rajonal sa i përket transportit detar. “Kjo nuk mund të ndodhë në portin e Durrësit. Nuk mund të akomodojë volumet e RMV, Kosovës, apo Serbisë”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, ka një garë permanente të hapur për projektet strategjike.
“Është bërë shpesh pyetja dhe ka qenë një nga pyetjet që ju e konsideroni shumë interesante dhe kapëse, që ka pasur garë apo nuk ka pasur? Gara është e hapur të dashur kolegë, pasi ligji i investimeve strategjike lejon çdo investitor strategjik të vijë në Shqipëri nëse është i huaj, apo nëse është vendas është gjithashtu i mirëpritur dhe të sugjerojë dhe të ofrojë projekte të cilat janë strategjike duke mos i mbyllur derën askujt dhe duke pasur një garë permanente të hapur për investime strategjike. Pyetjes tuaj a ka pasur një garë, po ka një garë permanente të hapur për projekte strategjike”, u shpreh Balluku.