Intervistoi Mila Ballhysa
Projekti për portin turistik të Durrësit duket se nuk është thjesht një premtim elektoral që bëhet në prag të vitit zgjedhor, por një nismë që pritet të konkretizohet. Pas detajeve të para që përcolli në media ministrja e MIE-së, Belinda Balluku, ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që ka folur për atë qe e cilësoi si “transformimin kolosal të portit të Durrësit”.
“Pa diskutim që të gjitha ato që vijnë mbrapa nga pikëpamja ekonomie janë me impakt jo vetëm për Durrësin por për gjithë Shqipërinë si investim që shkon në mbi 2 miliard vetëm atje, pa llogaritur investimin e portit të ri dhe punësimet e të gjitha me radhë”,- tha Rama ndërsa shoqërohej gjatë vizitës së tij në qytetin bregdetar nga drejtuesi i kompanisë së famshme EMAAR Group, Muhammed El Alabbar.
Për këtë investim, për të cilin ende dihen pak detaje, “DurrësLajm” ka intervistuar Kapitenin e Portit të Durrësit, Tauland Allka. Allka e vlerëson si mjaft pozitive nismën për shndërrimin e portit tregtar në port turistik.
“Projekti do ta shndërrojë portin e Durrësit në një destinacion elitar për turizmin e kroçerave dhe jahteve”,- thotë kapiteni Allka.
Sipas tij, investimi madhor jo vetëm do ta bëjë Durrësin me marinën detare aq të munguar për shumë vite, por edhe do ta bëjë konkurues me portet e ngjashme të rajonit.
Megjithëse deri tani është në dijeni të vetëm atyre pak detajeve që janë bërë publike në media, ai është i bindur se transferimi i disa operacioneve portuale drejt portit të ri nuk do të ndodhë shumë shpejt dhe nuk do të bëhet në mënyrë të pastudiuar, siç kanë deklaruar disa ish-zyrtarë të portit më të madh në vend.
“Rialokimi apo transferimi i General cargo (mallrave gjenerale), Bulk cargo (mallra rifuxho) apo kontejnerëve nga porti i Durrësit në Porto Romano, nuk bëhet me një të lëvizur të gishtit, siç duan ta paraqesin ish-drejtorët apo ish-drejtuesit e sektorëve të transportit për kredo politike. Oponenca si specialista patjetër që është e dobishme në kohën që do të kërkohet mendimi i grupeve të interesit”,– thotë kapiteni Allka.
Dy koncesionarëve të portit të karburanteve PORTI MBM dhe Romano Port u është miratuar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë shtesa në kontratë për shkarkimin e ngarkesave hidrokarbure dhe për përpunimin e ngarkesave rifuxho. Me thellimin e mëtejshëm të portit nga 9.5 në 11 metra, këto dy koncesionarë po përgatiten që në të ardhmen të bëjnë të mundur përpunimin e anijeve të hidrokarbureve, por edhe tregtare deri në 60 mijë dwt (ton).
“Duke pasur parasysh që ky është tonazhi kryesor që lëviz ngarkesat në oqean i jep dimensionin real eksporteve dhe importeve, kryesisht të mineraleve dhe hidrokarbureve në vendin tonë, gjë që i mungon portit aktual të Durrësit”,– thotë Allka.
Kryeministri Rama gjatë vizitës në Durrës foli sërish për ndërtimin e portit turistik dhe pa nga afër portin së bashkë me investitorin arab Muhammed El Alabbar. Bëhet fjalë për një projekt rreth 2 miliardë euro. Mund të na zbuloni më shumë detaje mbi këtë projekt?
Kapiteneria e Portit është organ ligjzbatues dhe si e tillë, garanton sigurinë e mjeteve në port dhe në radë në zbatim të Kodit Detar të RSH. Për projektin në fjalë ashtu si dhe ju, jam njohur nga mediat dhe nga prezantimi që i bëri ministrja e Insfrastrukturës Belinda Balluku së bashku me deputeten e Qarkut Durrës Milva Ekonomi. Më shumë detaje nga projektet dhe fazat e implementimit jam i bindur që do të bëhen transparente në ditët në vijim, duke parë dhe interesimin e madh të shprehur nga qytetarët.
Çfarë do të sjellë implementimi i këtij projekti për qytetin e Durrësit?
Une e shof me syrin e Kapitenit dhe mendoj se një projekt i tillë do ta shndërrojë portin e Durrësit në një destinacion elitar për turizmin e kroçerave dhe jahteve. Numri i mjeteve detare të luksit ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, por mbetet i ulët po ta krahasojmë me Sarandën (Durrësi – 440 mjete/ Saranda – 1400 mjete) për vitin 2019 e jo më me portet përreth. Aktualisht, në dy vitet e fundit, porti i Durrësit u ofron këtyre krocerave dhe jahteve facilitetet elementare (bankinë, ujë dhe energji) duke përshtatur kalatën 4 gjatë 3 muajve të verës. Karakteri tregtar dhe jo turistik i portit e ka bërë jo atraktiv portin e Durrësit për këtë lloj industrie megjithëse qyteti i Durrësit apo Kruja që është afër portit tërheqin vizitorë me bukuritë e pafundme që ofrojnë.
Ndërsa përmendet nga kryeministri Rama dhe ministrja Balluku projekti për portin turistik thuajse aspak nuk flitet për ndërtimin e portit të ri tregtar, ku do të rialokohen disa nga operacionet që aktualisht kryhen në portin më të madh në vend. Çfarë punimesh janë kryer apo po kryhen në Porto – Romano dhe a do të jepen me koncesion operacionet e portit tregtar tek kompanitë që aktualisht menaxhojnë portin e karburanteve?
Rialokimi apo transferimi i General cargo, Bulk cargo apo kontejner nga porti i Durrësit në Porto Romano, nuk bëhet me një të lëvizur të gishtit, siç duan ta paraqesin ish-drejtorët apo ish-drejtuesit e sektorëve të transportit për kredo politike. Oponenca si specialista patjetër që është e dobishme në kohën që do të kërkohet mendimi i grupeve të interesit. Grupet e punës në ministri dhe në parlament, por edhe konsulenca e specializuar e huaj do të japin një pasqyrë të qartë me rekomandimet e duhura dhe afatet e mundshme për realizimin e këtij transferimi.
FOTO: Porti i vjetër i Marsejës (Francë) dhe Splitit (Kroaci)
Si kapiten anije kam vizituar shumicën e porteve në Adriatik dhe Mesdhe dhe mund të them që operacionet e ngarkim-shkarkimit në portet brenda në qytet (Old Ports), janë transferuar apo larguar nga qendrat historike të qyteteve, duke i lënë vendin marinave turistike dhe terminaleve të pasagjerëve të trageteve dhe kroçerave, duke u mundësuar turistëve akses të drejtpërdrejtë në qendër të qytetit. Prandaj mendoj se pozicioni i portit të Durrësit dhe aksesi i tij me qendrën e qytetit dhe zonën e riformatuar të shëtitores “Taulantia” i japin dimensionin e munguar.
A është kryer një studim fizibiliteti për portin e ri tregtar dhe cilat janë avantazhet që krijon spostimi i disa operacioneve portuale në Porto-Romano? A do të ketë porti i ri tregtar thellësinë e duhur për anijet e tonazhit të madh që është një nga problematikat kryesore të portit aktual?
Me ligjin nr.58/2020, botuar në fletoren zyrtare nr.124 është miratuar shtesa ndaj koncesionarit MBM për shkarkimin e ngarkesave hidrokarbure edhe për përpunimin e ngarkesave rifuxho. Edhe koncesionari Romano Port e ka marrë këtë shtesë në koncesionin e tij, prandaj mendoj që konkurenca dhe ofrimi i shërbimeve moderne të ngarkim shkarkimit do t’u japë mundësi kompanive të import/exportit të zgjedhin shërbimin më të mirë. Aktualisht të dy këto koncesione (BOT) kanë zhytjen 9,5 metra në terminalet e tyre dhe me punimet intensive, brenda 6 muajsh, do të arrihet në 11 metra. Kjo thellësi bën të mundur përpunimin e anijeve jo vetëm Handy Size (10.000-30.000 dwt), por edhe Handy Max (deri 60.000 dwt). Duke pasur parasysh që ky është tonazhi kryesor që lëviz ngarkesat në oqean i jep dimensionin real eksporteve dhe importeve, kryesisht të mineraleve dhe hidrokarbureve në vendin tonë, gjë që i mungon portit aktual të Durrësit.
Ministrja Balluku foli për ndërtimin e rezidencave luksoze dhe hotelerive në shërbim të portit të ri turistik. Ku janë planifikuar të ndërtohen ato?
Kompania Emaar, e cila u përmend nga ministrja e MIE, Belinda Balluku, nga sa kam lexuar është e specializuar në ndërtimin e marinave dhe rezidencave elitare. Punët që ka bërë në ëaterfront (dallgëthyesin) e Dubait e dëshmojnë këte gjë. Ky lloj turizmi elitar është i përhapur në portet turistike, prandaj jam i bindur që porti i Durrësit i ka potencialet të transformohet në një të tillë.