Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit i ktheu përgjigje akuzave politike.

Ai tha se pavarësisht historive që qarkulluan, nga studimi i kompanisë rezulton që vlera e investimit do të ndahet midis qeverisë dhe partnerit privat që do të fitojë garën ndërkombëtare.

“Tjetra, çfarë nuk u tha për miliardat e për historitë surreale që do t’i kushtonte me demek Shqipërisë ky spostim për t’i bërë qejfin arabëve ndërkohë që siç e patë, nga studimi i kompanisë, faza e parë që është faza që praktikisht bën zëvendësimin e portit, është 390 milionë Euro, një shifër absolutisht e arsyeshme ku 46% e vlerës së investimit do ta kontribuojë qeveria e Shqipërisë dhe 54% presim të jetë kontribut i kompanisë që do të fitojë garën ndërkombëtare.

Dhe ndërkohë, besoj që ju ra në sy atyre që na ndjekin, por nëse s’ju ra në sy po jua çoj unë në sy. Eriku kishte një fjalë të pistë në prezantim, “PPP”, pra edhe në këtë rast do të zhvillojmë një proces në partneritet publik-privat sepse PPP-të nuk janë akte kriminale, nuk janë as formula korruptive, por janë formula  ekonomike të cilat kur natyrisht bëhen me transparencë dhe bëhen duke parë interesin e publikut, funksionojnë në favor të publikut. Kur bëhen si ajo formula e skanerëve të hyrjes dhe daljes së kamionëve nga të gjithë pikat e Shqipërisë atëherë bëjnë që publiku të paguajë kusure të cilat nuk i ka”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se gara e kompanive që do marrin përsipër operimin e Portit do jetë e hapur vetëm për vende mike dhe partnere. Ai u shpreh se do të mirëpriten kompani nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Lindja e Mesme dhe nga SHBA. Sipas tij, kompania duhet të vijë nga një vend pro NATO-s, kjo edhe për shkak të dimensionit që ka porti.