Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako prezantoi sot para këshilltarëve bashkiakë detaje nga dy investime, të cilat ajo i konsideroi projekte të rëndësishme për qytetin.
Pasi këshilltarët votuan në unanimitet fondet për dy projektet “Studim projektimi parku urban Spitallë” në vlerën 3 mln lekë dhe “Rehabilitimi i zonës që preket nga zgjerimi territorial i varrezave të qytetit” në vlerën 290.358.720 lekë, kryebashkiakja prezantoi në vija të përgjithshme se ku konsistojnë këto dy investime, që pritet të ndryshojnë komplet infrastrukturën urbane të kësaj zone periferike të qytetit.
Duke prezantuar projektin për zgjerimin e varrezave, Sako tha se në atë zonë “do të kemi rreth 7200 varreza , të cilat janë të ndara në 32 parcela që do të sistemohen me rrugë kalimi, infrastrukturë nëntokësore, më ujë dhe do të bëjmë dhe instalimet elektrike për të bërë të mundur më tej ndriçimin e tyre. Do të kemi gjithashtu dhe rreth 500 fidanë, që do të mbillen në këtë territor të ri”.
Ndërsa për parkun urban, Sako tregoi detajet:
“Projekti parashikon që të kemi një park të përbashkët, linear, i cili do të shtrihet në një gjatësi 1 KM patjetër, por edhe nëse do ta vlerësojë projekti të nevojshme më tej mbylljen e plotë të kanalit do të jetë një mundësi për rrugë këmbësorësh dhe makinash, pra ata që jetojnë në këtë zonë do të kenë aksesin e rrugëve me standard. Do të kemi gjithashtu korsi biçikletash, por pse jo kënde sporti dhe kënde lojërash për fëmijë”.