Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, i mbështetur nga Banka Botërore me një financim prej 40 milionë dollarësh ka vuajtur prej një viti pasojat e pandemisë duke pasur vonesa ne një pjesë të mirë të punëve që ishin parashikuar për t’u zbatuar.
Rishikimi i 14 rutinë i misionit të Bankës Botërore për ecurinë e këtij projekti, zhvilluar në mars 2021 tregoi se pandemia ka kufizuar asistencën teknike në shumë aspekte si dhe udhëtimin e ekipeve që do të jepnin këtë asistencë në terren.
“Zbatimi i projektit ka pasur disa vonesa, më së shumti për shkak të pandemisë së COVID-19 që nga marsi 2020. Në përgjithësi është arritur progres i mirë në zbatimin e disa aktiviteteve kyçe si :finalizimi i kontratës për rikonstruksionin e spitalit të Laçit dhe nisja e punimeve civile; avancimi i punimeve rikonstruktuese të spitaleve në Kukës dhe atyre pediatrikë; kompletimi i Rishikimit të Masterplanit ekzistues të Spitalit; finalizimi i kontratës për Sistemin Informativ të Spitalit Rajonal.
Gjithsesi një numër aktivitetesh kanë vuajtur nga vonesat në zbatim për shkak të kufizimeve në udhëtim të konsulentëve përfshirë: asistencën teknike në rishikimin e ligjit të shëndetit dhe spitaleve(përfshirë Vlerësimin e Ndikimit të Rrezikut për ligjin e spitaleve); asistenca teknike ndërkombëtare për menaxhimin e spitalit “Nënë Tereza; asistenca teknike në udhëzimet klinike; kontratat për Masterplanin e-Shëndeti dhe dizejnimi i standardeve dhe regjistrave themelorë të e-shëndetit që nuk kanë avancuar.
Në shtesë të kësaj puna në sistemet e informimit për administrimin e paketës së shëndetësisë në spitale gjithashtu është vonuar. Marrëveshja u arrit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të intensifikuar komunikimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të projektit duke synuar përmirësimin e ritmit të zbatimit” thuhet në dokumentin e Bankës Botërore.
Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor u miratua në vitin 2015 me një kredi të Bankës Botërore dhe përbëhet nga tre komponentë. Deri në mars 2021 të dhënat zyrtare tregonin se ishin disbursuar vetëm 36 për qind e fondeve apo 13.9 milionë dollar ndërkohë që pjesa më e madhe mbeten ende të pa tërhequra. Për shkak të vonesave afati i projektit u rishikua duke e shtyrë atë deri më 31 dhjetor 2022. /Monitor