Pas gati dy dekadash kërkesash të përsëritura e të vazhdueshme nga ekipi i mësuesve e nxënësve, bashkia e Durrësit i ka hapur dritën jeshile rikonstruksuonit të shkollës artisitike “Jan Kukuzeli”, e cila ka nxjerrë breza artistësh të mirëfilltë. Bashkia e Durrësit në fund të këtij muaji, më 26 tetor 2018, pritet të zhvillojë tenderin publik për rikonceptimin dhe rikonstruksionin e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës. Bashkia ka vënë në dispozicion fondin limit 219 milionë e 700 mijë lekë të rinj ose mbi 1 milion e 700 mijë euro.

Sipas parashikimeve, pritet që me zhvillimn e tenderit dhe plotësimin 40 ditor të afateve të ankimimit, rikonstruksioni të nisë në mbyllje të këtij viti kalendarik, ndërsa Drejtorisë Arsimore rajonale do t’i duhet të mendojë zhvendosjen e mësimit në një shkollë tjetër.

Afati kohor për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme në arsimin parauniversitar artistik është vendosur për 15 muaj. Projekti është bërë nga studioja projektuese “DEA” (shih videon në fund).

Ndër vite, shqetësimi kryesor në këtë shkollë ka qenë amortizimi i tejskajshëm i saj. Rrjeti elektrik është djegur disa herë duke shkaktuar në vite panik te nxënësit e shkollës, ndërsa ambientet kanë qenë tërësisht të papërshtatshme për t’u zhvilluar procesi mësimor.

Shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ka një histori mbresëlënëse për përgatitjen e kuadrove të shumta të artit dhe kulturës. Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë ndër vite me dhjetëra talente spikatëse që kanë kontribuar nëpër festivalet artistike të vendit si kompozitorë të shquar dhe drejtues të talentuar të skenave, ndërsa pas viteve ’90, shumë ish-nxënëns të kësaj shkolle kanë kontribuar me shumë sukses në skenat botërore të Perëndimit.

Shkolla në fillimet e veprimtarisë së saj ishte emërtuar shkolla e mesme e muzikes “Mujo Ulqinaku”, ndërsa më pas u emërtua “Jan Kukuzeli”, i cili është cilësuar si kompozitori i çuditshëm, i mistershëm, mit dhe novator, i përmasave epokale. Në dokumentet e hershme, të vitit 1550, përmendet dhe nënvizohet qartë fakti se “Jan Kukuzeli lindi në qytetin e Durrësit dhe mbasi kaloi vitet e fëmijërisë u vendos në Kostandinopojë”. Jan Kukuzeli është cilësuar shqiptari me një zë engjëllor,  Gjeniu nga Durrësi që i dha melodinë shpirtit të Bizantit. Në çerekun e parë të shekullit XIV, ai konsiderohej dhe ishte shpallur “lider i kompozicionit muzikor në tërë perandorinë bizantine”.

K.H.