ATHINE, 10 prill 2013 – Parlamenti grek ka ratifikuar marrëveshjen ndërqeveritare mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për ndërtimin dhe funksionimin e gazjellësit TAP.
Marrëveshja mes tri vendeve është nënshkruar në Athinë më 13 shkurt 2013, ku është konfirmuar mbështetja e tre vendeve fqinje për bashkëpunim në zbatimin e projektit TAP.
Gazjellësi do të përbëjë një nga projektet më të mëdha të investimeve të huaja në Greqi dhe pritet të krijojë rreth 2.000 vende pune dhe në një periudhë pak më afatgjatë rreth 10.000 të tilla, duke i dhënë Greqisë një ndihmë të madhe. TAP-i është i vetmi opsion i tubacionit që kalon nëpërmjet Greqisë.
Ndërkaq, parlamenti shqiptar ka ratifikuar këtë marrëveshje më 25 mars të këtij viti.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni do të niset nga Greqia, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe Detin Adriatik dhe do të përfundojë në jug të Italisë, duke lejuar që gazi të rrjedhë drejtpërsëdrejti nga rajoni i Detit Kaspik drejt tregjeve evropiane.





