Me pankanta në duar, ku shprehnin qartë revoltën e tyre ndaj projektit TID Durrës, të cilin e konsiderojnë klientelist, dhe letra higjenike të hedhura ndaj bashkisë, përfaqësuesit e 74 familjeve, banesat dhe bizneset e të cilëve do të prishen dhe shpronësohen, zhvilluan protestën e radhës.

Banorët vazhdojnë të kërkojnë nga institucionet shtetërore pezullimin e projektit dhe kompensim të drejtë sipas vlerës së tregut për pronat e tyre.

Prej disa ditësh tashmë, 14 familje që preken nga ky projekt kanë depozituar pranë Gjykatës Administrative të Durrësit kërkesën për sigurim padie për pezullimin e VKM-së për shpronësimet e pronave të tyre dhe janë në pritje të vendimit të gjyqësorit.

Protesta e banorëve tërhoqi vëmendjen edhe të turistëve të huaj, që ndodheshin në sheshin “Liria” në ato momente dhe disa prej tyre u interesuan pse po protestohej.

Arkitektja Entela Koja tha në emër të banorëve se ata nuk janë kundër projektit, kundër zhvillimit të qytetit, por kërkojnë të drejtën e pronës së tyre, që e trashëgojnë prej shumë dekadash.

Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi, të njohur si TID Durrës, dhe për shpronësimet e 74 familjeve durrsake qeveria Rama ka akorduar fondin 315.5 milionë lekë.

M.B.