Pika kryesore e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, që lidhej me miratimin e vlerave të shpronësimeve të 103 pasurive të paluajtshme, të cilat preken nga investimi që do të kryhet në zonën historike të qytetit bregdetar ndezi diskutimet më të forta.
Banesat dhe trojet që preken nga projekti TID Durrës shtrihen kryesisht përgjatë Bulevardit Epidamn, një nga zonat më të shtrenjta përsa i përket çmimeve të tregut imobiliar.
Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD, Dritan Burgija e cilësoi këtë proces një vjedhje e qytetarëve, duke iu referuar një shembulli konkret nga shpronësimet e dy viteve më parë në këtë zonë.
“Nuk është tallje, se nëse do thoja po tallemi do tregohesha shumë i moderuar. Po i vidhni qytetarët. A mund të më thotë dikush këtu që në këto vite Durrësit i janë ulur vlerat e pronave apo i janë rritur?! Ka familje të njëjta, që para dy vitesh janë vlerësuar me vlera të tjera, më të larta. Në Fletoren Zyrtare, që janë publikuar edhe emrat, familja Bërdaku është vlerësuar me vlerën e pronës afro 1 milionë lekë të vjetra. Sot, në vendimet tuaja i ulet ajo vlerë, i shkon 800 mijë lekë të vjetra për metër katror”,– tha Burgija.
Në përgjigjen e tij për këshilltarin Burgija, kryetari i KB Durrës, Ani Dyrmishi u përgjigj: “Ti thua e keni caktuar çmimin ju. Nuk e kemi caktuar ne çmimin. Çmimi vjen nga një procedurë, që t’i nuk ke informacion”.
Projekti që pritet të aplikohet së shpejti nga Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim prek pronat e rreth 100 qytetarëve durrsakë në atë që cilësohet si parku arkeologjik i qytetit. Ky projekt synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e biznesit dhe turizmit në qytetin bregdetar.
“Preken rreth 99 prona, nga të cilat 40 objekte, 24 janë objekte të pjesshme, 35 janë sheshe. Do të ketë një afat 45 ditor për ankesat apo shqetësimet që mund të kenë qytetarët. Besojmë se do të kemi shumë shpejt fillimin e punës në kantier në këtë zonë. Ka dhe një projekt tjetër që është ai i amfiteatrit, që është projekt i cili ka një ndërhyrje të fortë në qytetin tonë, por atje ende nuk është bërë një projekt i detajuar dhe pikërisht për këtë arsye ne sot kaluam vetëm miratimin e TID-it, për t’i hapur rrugë investimit”,- deklaroi ndër të tjera kryebashkiakja Emiriana Sako.
Në një fazë të mëvonshme pritet të kalojnë në këshillin bashkiak shpronësimet që do bëhen në kuadër të projektit tjetër, që lidhet me zbulimin e amfiteatrit, për të cilin këshilltari Ardian Muka evidentoi dhënien e lejeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit për ndërtime të reja, ndërkohë që ndërtimet ekzistuese do të shemben.
Kjo pikë u miratua me 25 vota pro, 7 kundër dhe 6 abstenime. Ndërkohë, të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës, që lidheshin me ndihmën ekonomike, listën e personave që përfitojnë kredi të butë apo bonusin e strehimit u miratuan në mënyrë unanime nga të gjithë këshilltarët e pranishëm.
M.B.