Pas disa protestave të zhvilluara në 2 javët e fundit, familjet që preken nga shpronësimet, që pritet të bëhen në kuadër të projektit TID Durrës, po i drejtohen procedurave ligjore.

Avokati Lorval Petani, njëherazi kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, po mbron interesat e disa prej familjeve të prekura. Në një intervistë për “DurrësLajm”, Petani thotë se në shkresat zyrtare ka konstatuar parregullsi ligjore, sidomos përsa i përket grupit të punës së ngritur nga bashkia Durrës për vlerësimin e pasurive pronë private.

“Grupi i punës i ngritur nga bashkia me Urdhër nr.310, i datës 06.09.2024 ka qenë i përbërë nga 7 anëtarë. Ky grup pune ka pasur një afat kohor për të realizuar këtë detyrë të ngarkuar, afate kohore që i kanë kaluar. Më pas ka pasur një urdhër të dytë për zëvendësimin e disa anëtarëve të grupit të punës, ku disa anëtarë janë lëvizur dhe janë zëvendësuar me anëtarë të tjerë. Ka pasur edhe anëtarë që janë shkarkuar nga ky grup pune, por nuk janë zëvendësuar nga të tjerë. Në relacionin përfundimtar, të datës 06.12.2024, i cili i është paraqitur Këshillit Bashkiak dhe më pas është bërë nga ana e prefektit verifikimi i ligjshmërisë së aktit, kemi konstatuar që grupi i punës nuk ka qenë i përbërë nga të gjithë anëtarët, por nga 6 anëtarë, jo 7 siç ka qenë më përpara. Kjo do të thotë që ka problematika dhe në kuorumin e grupit të punës për verifikimin dhe përllogaritjen e tyre”.

Shumica dërrmuese e shtëpive dhe bizneseve në këtë zonë janë në pronësi të banorëve autoktonë të qytetit, por avokati Petani pranon se disa prej tyre kanë probleme me dokumentet e pronësisë.

“Problematika që ka kjo zona është që ka shumë shtëpi të vjetra, që dihet botërisht nga të gjithë banorët e zonës dhe institucionet se janë banorë autoktonë të asaj zone, por se kanë pasur të mundur të marrin certifikatat e pronësisë për pronat. Problemi tjetër është vlera e pronës. Çmimi real i pronës në atë zonë dihet botërisht sa është. Pra nuk mund të themi dot, që po shpronësojmë një pronë me një vlerë 20 milionë lekë apo 40 milionë lekë. Çmi referues për vlerën e shpronësimit nuk i afrohet aspak vlerës së pronës në këtë zonë.”

Disa ditë më parë, banorëve u ka mbërritur shkresa zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe brenda 30 ditëve ata duhet të bëjnë ankimimin në gjykatë, në të kundërt humbasin të drejtën të përfitojnë një vlerë shpronësimi më të lartë.

Prishjen e banesave të tyre, banorët kërkojnë ta ndalojnë përmes një vendimi gjyqësor për pezullimin e zbatimit të projektit, por sipas avokatit Petani kjo është thuajse e pamundur, pasi të gjitha afatet ligjore te fazës  së parë të projektit janë tejkaluar tashmë.

“Afatet ligjore për ta kundërshtuar këtë projekt në tërësinë e tij apo për pezullimin e këtij projekti në këtë moment nuk mund të bëhen, pasi është ezauruar kjo fazë.”

Qeveria Rama ka miratuar vlerën e shpronësimit 315.5 milionë lekë, që do të përballohet nga buxheti i shtetit për dëmshpërblimin e 74 familjeve, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin përgjatë bulevardit “Epidamn” të qytetit.

M.B.