Nga sheshi “Liria” ku janë zhvilluar protestat e vazhdueshme të banorëve të zonës historike të qytetit, projekti TID mbërriti edhe në sallën e Këshillit Bashkiak.
Mbledhja e radhës e këshillit u zhvillua, ndërsa në sallë vinte jehona e thirrjeve me megafon të pjesëmarrësve në protestë, që kërkojnë prej disa muajsh tashmë anulimin e projektit.
E ndërsa 7 pikat e rendit të ditës u miratuan në unanimitet votash nga këshilltarët e PS-së dhe ata të opozitës, pjesa tjetër e mbledhjes iu dedikua pyetjeve mbi projektin TID.
Këshilltarët Ardian Muka dhe Anisa Ibraj kërkuan nga bashkia sqarime lidhur me dëgjesat publike, përllogaritjen e shpronësimeve si dhe aspektet ligjore të projektit TID, ndërsa pyetje për Këshillin Bashkiak kishte adresuar dhe përfaqësuesja e banorëve arkitektja Entela Koja.
Në përgjigjen e tij, nënkryetari Elio Jani sqaroi mënyrën e përllogaritjes së vlerës së shpronësimeve me anë të kontratave të shitblerjeve të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në 3 muajt e fundit.
Sqarimet e Janit dhe drejtoreshës juridike Alneida Rroshi nuk lanë të kënaqur arkitekten Koja. Replika e nisur prej saj u pasua nga reagimi i këshilltares Eda Harizi, e cila për shkak se erdhi me vonesë në mbledhje ju hoq mundësia për të kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e bashkisë.
Ndërkohë në përfundim të mbledhjes, thirrjet “Turp, Turp” dhe “Hajdutë” shoqëruan daljen nga ambientet e bashkisë të këshilltarëve të majtë.
Për banorët e prekur nga projekti TID, protestat mbeten ndër rrugët e vetme për të kundërshtuar me forcën e fjalës shembjen e banesave dhe bizneseve të tyre.
Përballë zërave të banorëve që kërkojnë të mos “dëbohen” nga pronat e tyre, qëndron heshtja institucionale në nivel vendor e qëndror.
M.B.





