Shtyhet për në mbledhjen e radhës shqyrtimi dhe miratimi i pikës 13 që u fut sot me urgjencë në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, e cila kishte të bënte projektin TID: “PËR MIRATIMIN E SUBVENCIONIMIT TË QIRASË PËR FAMILJET PËRFITUESE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “RESTAURIMI DHE RIKUALIFIKIMI URBAN I ZONËS PERSPEKTIVE TID, ME VENDNDODHJE NË PARKUN ARKEOLOGJIK DURRËS”.

Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Roland Xhelilaj kërkoi shtyrjen për në mbledhjen e radhës, meqënëse nuk ishin të pranishëm këshilltarët e opozitës.

Kujtojmë se gjatë gjithë paradites deri kur filloi mbledhja e KB Durrës, banorët që preken nga projekti TID protestuan para bashkisë, e cila u shoqërua me tensione, ndërhyrje policie dhe shoqërimin e disa protestuesve. Ata u bashkuan me grupin tjetër të protestuesve të lagjes nr.8 që preken nga ndërtimi i Unazës Currila – rruga “Aleksandër Goga”, duke bllokuar rrugën, ku nuk munguan edhe përplasjet me forcat e policisë.