Projektligji për barazinë gjinore është ndryshuar për shkak të debateve të shumta, të cilat nisën nga përdorimi i termit “gjini gjithëpërfshirëse”, duke lënë të nënkuptohen terma që përfshijnë jo vetëm burrin dhe gruan.
Projektligji solli reagime të shumta, sidomos nga grupet fetare, konservatore dhe grupet e interesit.
Ndryshimi erdhi nga mazhoranca, e cila depozitoi 22 amendamente që heqin nga drafti termat “gjithëpërfshirës”, “diversitet gjinor”, “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”. Argumenti zyrtar është se ligji duhet të jetë i qartë, i zbatueshëm dhe të mos ngatërrojë institucionet në praktikë.
Një tjetër arsye ishte edhe mungesa e konsultimit publik, ku komunitetet fetare paralajmëruan se nuk ishin lajmëruar më parë, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut u shprehën se ligji duhet të ruajë mbrojtjen kundër diskriminimit.
Drafti pritet të votohet në versionin e ndryshuar, duke e zhvendosur fokusin drejt qasjes klasike të gjinisë, ndërsa shmangen dimensionet më të reja të identitetit që kanë ndezur debat. Grupi i organizatave që mbrojnë të drejtat LGBTIQ+ ka reaguar ashpër, duke e cilësuar hapin një tërheqje nga parimet e mosdiskriminimit.
Ndërsa Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës, në një reagim, është shprehur se projektligji rrezikon të minojë familjen tradicionale, të cenojë dinjitetin njerëzor, të kufizojë lirinë e besimit dhe të shprehjes, si dhe të destabilizojë strukturën shoqërore.
Projektligji është depozituar në Kuvend dhe tashmë, bashkë me ndryshimet e bëra, do të diskutohet në komisionet parlamentare. Votimi i tij në seancë plenare është parashikuar për më 30 tetor.





