Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka denoncuar se mazhoranca po tenton që ta kalojë me shpejtësi projektligjin për Portet, që ajo e cilësoi si antikushtetues, dhe paralajmëroi se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo theksoi se në ky projektligj do të shqyrtohet me shpejtësi sot në tre komisione për ta kaluar më pas me urdhër në seancën e së enjtes. Sipas saj, projektligji parashikon që procedurat dhe kriteret për lidhjen e kontratave me investitorët strategjikë do të përcaktohen përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke bërë që gara e hapur të kthehet në një marrëveshje mes qeverisë e subjektit.
“Sipas draftit, në rast se një kompani ka marrë statusin e “Investitorit Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), dhe ndërtimi i portit është pjesë e projektit të saj, ajo përjashtohet nga detyrimi për konkurrim të hapur. Në praktikë, kjo nënkupton që zhvilluesi i një resorti privat përfiton automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe menaxhuar edhe portin përkatës.”, tha ajo.
Më tej, ajo argumenton se ligji për investimet strategjie përfundon në dhjetor të vitit 2026, duke theksuar se nuk është e nevojshme ndërhyrja 6 muaj përpara. Ajo shtoi se projektligji cenon parimine barazisë para ligjit, paralizon konkurrencën e lirë si dhe bie ndesh me parimin e sigurisë publike.
“Për këto arsye, Partia Demokratike do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, do të informojë Bashkimin Evropian dhe do ta ndjekë këtë çështje në vazhdimësi.”, shtoi Zhupa.





