Koalicioni shqiptar Pro Familjes dhe Jetës ka dalë pasditen e kësaj të enjte në protestë për të kundërshtuar projekt ligjin për shëndetin riprodhues, që i hap rrugë abortit dhe surrogacisë.
Anëtarë të koalicionit dhe qytetarë janë mbledhur në sheshin Skënderbej për të protestuar, ndërsa mes tyre ka edhe të rinj.
Gjithashtu mësohet se Koalicioni ka nisur një peticion për mbledhjen e firmave të qytetarëve që e kundërshtojnë këtë projektligj.
Edhe më herët Koalicioni Shqiptar Pro Familjes përmes pastor Akil Pano e kundërshtoi diskutimin e këtij projektligji duke theksuar se Shqipëria nuk është gati për surrogacinë, pra për të bërë një marrëveshje ligjore ku një grua pranon të lindë një fëmijë në emër të një personi tjetër që kërkon të bëhet prind.
Drafti parashikon edhe riprodhimin in vitro dhe qartëson procedurat e aborteve në Shqipëri deri tek ruajtja e vezëve të pafekonduara në kushte ngrirje derisa gruaja të bëjë 53 vjeç.