Ministret Etilda Gjonaj dhe Belinda Balluku, së bashku me ministrin Sandër Lleshaj, kanë dhënë detaje sa i përket projektligjit për “planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Ministrja e Drejtësisë u shpreh se ky vendim erdhi pas problematikave të evidentuara tek ndërtimet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ndërsa theksoi se do të ketë përgjegjësi civile dhe penale për ata që zbatojnë projekte zhvillimore.
“Dje kemi miratuar vendimin për përgjegjësitë civile dhe ato penale për ata që zbatojnë projekte zhvillimore. Nisur dhe nga fatkeqësia e disa muajve më parë, u vu re që kishte një boshllëk ligjor që nuk ndante përgjegjësitë e personave që merrnin pjesë në një proces zhvillimor“, tha Gjonaj.
Ndërkohë, Ministrja e Transportit, Belinda Balluku, tha se janë bërë disa ndryshime të rëndësishme, që sipas saj, përforcojnë rregullat dhe përgjegjësitë e personave që janë pjesë e procesit.
“Ka disa problematika që u evidentuan pas tërmetit të 26 nëntorit dhe kemi arritur të bëjmë disa ndryshime esenciale. Shumë ndërtime të kryera kanë problematikat e tyre dhe duke mbajtur parasysh këtë mungesë të parashikimeve ligjore, konkluduam një paketë ndryshimesh ligjore, për t’i dhënë fund atyre që ndërtojnë pa leje, atyre që veprojnë kundër rregullave zhvillimore.
Një pjesë e mirë e ndërtesa e nuk përmbushim kushtet për mbrojtjen nga zjarri, kushtet për lëkundjet sizmike. Të gjitha ndryshimet e bëra përforcojnë rregullat dhe përgjegjësit e atyre që janë pjesë. Projektuesi është përcaktuar për të mbajtur përgjegjësinë profesionale nëpërmjet një kontrate për çdo dëm që shkaktohet prej procesit të tij. Sigurimi i ndërtesave është një proces shumë i rëndësishëm me të cilin ne po punojmë”, u shpreh Balluku.
Lleshaj e vuri theksin tek angazhimi i policisë së shtetit, ku tha se përgjegjësi do të mbajnë vetëm ata që kryejnë ndërtime jashtë rregullave, por edhe “zyrtarët që mbyllin një sy”
“Mbrojtja e jetës së njerëzve, e pronës, e mbi të gjitha e territorit, është objektivi i qeverisë dhe këto hapa ligjorë synojën krijimin e kushteve të reja. ndryshimet ligjore janë të rëndësishme, të dobishme, por kanë nevojë për t’u realizuar dhe për këtë qëndron e gatshëm një trupë e tërë institucionesh, inspektoratesh që do përfshihen në një program serioz.
IKMT ka zgjeruar gamën e përgjegjësive të veta, dhe kjo strukturë do integrohet me Policinë e Shtetit që të punojnë në mënyrë integrale, për të garantuar zbatim uniformë të kërkesave ligjore në fuqi. Jo vetëm ndërtimet pa leje, por janë ndërtimet pa dhe me leje, sepse kemi parë që edhe ndërtimet me leje mund të na shkaktojnë probleme të mëdha nëse nuk bëhen siç duhen.
Policia e konsideron të mundshme orientimin e një pjesë të burimeve të saj edhe me mbrojtjen e territorit në tërësi, ku ndërtimet, me apo pa leje, janë pjesë e fokusit të saj. Fokusi do të jenë zonat e urbanizuara të ndërtuara dendur e ato bregdetare. Policia nuk do merret vetëm me atë që kryejnë ndërtime jashtë rregullave, por dhe me zyrtarët që mbyllin një sy. Të gjithë ata që kanë plane për të ndërtuar, të kenë nën kujtesë paketën ligjore“, tha Lleshaj.





