Vladimir Petkovic dhe Bordeaux po zhgënjejnë në Ligue 1.

Ish-trajneri i Zvicrës dhe i Lazios, mori drejtimin e ekipit francez në muajin korrik dhe firmosi një kontratë deri në verën e vitit 2024.

Gjithsesi, aventura franceze e 58-vjeçarit nga Sarajeva është drejt fundit. Humbja e fundit 6-0 përballë Rennes ka tërbuar tifozët e ekipit dhe presidentin Gerard Lopez.

Bordeaux renditet në vendin e parafundit, duke rrezikuar seriozisht rënien një kategori më poshtë.

Petkovic përfiton një rrogë të majme (300 mijë euro në muaj), por mediet franceze shkruajnë se ndeshja e radhës kundër Strasbourg është shansi i fundit për të.

Lopez intrigohet nga ideja Thierry Henry, i cili është një nga ndihmësit e Roberto Martinez te kombëtarja e Belgjikës.

Presidenti i Bordeaux ka raporte shumë të mira me ish-sulmuesin e famshëm, dhe e sheh atë si kandidatin kryesor për të zëvendësuar Petkovic.

Nëse një gjë e tillë ndodh, Henry do të niste aventurën e dytë si trajner në Ligue 1, pas asaj aspak të suksesshme si teknik i Monacos në periudhën tetor 2018-janar 2019.