Gjatë një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe disa projektueseve holandezë u prezantua sot projekti për portin e ri të mallrave të Durrësit, që pritet të ndërtohet në Porto Romano. Që në nisje të takimit, kryeministri nuk e ka fshehur entuziazmin për prezantimin e këtij projekti.
“Mirë se erdhët, mezi po prisja t’ju takoja. Kam dëgjuar gjëra shumë të mëdha sidomos për punët tuaja kështu që po prisja me padurim të takoheshim dhe të dëgjoja rezultatet e punës suaj.” – mikpriti Kryeministri.
Vepra për të cilën synimi është që të jetë porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor po realizohet falë një pune të përbashkët me partnerët shqiptarë. Infrastruktura e vjetër tashmë e amortizuar e portit aktual, e cila shkakton ndotje dhe kaos në mjedis, do të transformohet falë projektit në një arkitekturë model.
Përmes një filmi të realizuar nga studio holandeze, projektuesit shpalosën vizionin për portin e ri të mallrave të Durrësit, një vepër madhështore, me impakt të shtrirë në të gjithë rajonin.
“Porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, pra këtu ka mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.
Kryeministri Rama tha se qëllimi ishte pikërisht transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030.
“Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, – u shpreh Kryeministri, teksa vlerësoi se “zgjatimi i Portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”.
Ndërkohë që edhe për grupin projektues, ecuria e projektit është premtuese. “Është mjaft interesante sepse ne nisëm vetëm me këtë detyrë me ekipin dhe gjatë punës u bëmë shumë entuziastë, lidhur rentabilitetin dhe mundësitë e projektit, kështu që ka një entuziazëm në rritje dhe brenda ekipit.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.